Lajçak, optimist për takimin Kurti-Vuçiq në korrik

Miroslav Lajčák, Slovak Minister for Foreign Affairs

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë të mërkurën se beson që ekziston momentum për takim në Bruksel ndërmjet liderëve të të dyja shteteve, kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq.

Ai i ka bërë këto deklarata në një konferencë për media në Prishtinë, pak para nisjes për në veri të Kosovës.

“Jam angazhuar nëpër takime individuale që takimi i radhës të ketë rezultatet që dëshirojmë t’i shohim”, ka thënë Lajçak për mundësinë e takimit Kurti – Vuçiq në kuadër të dialogut, duke shpresuar që një takim i tillë të zhvillohet në korrik, para nisjes së pushimeve verore.

Këta dy liderë janë takuar dy herë gjatë vitit të kaluar në kuadër të dialogut.

Lajçak ka thënë se përgjatë vizitës treditore në Kosovë është takuar me krerë të pushtetit dhe opozitës për të diskutuar rreth dialogut.

 

Sipas tij, uniteti politik është shumë i rëndësishëm për ecjen përpara të dialogut, duke vënë theksin te “deklaratat e opozitës në mbështetje të dialogut dhe angazhimeve të Qeverisë [së Kosovë] në këtë proces”.

Përveç tjerash, Lajçak ka folur edhe për rëndësinë e zbardhjes së fatit të të pagjeturve dhe ka thënë se shpreson që do të miratohen dokumentet, të cilat janë duke punuar grupet punuese.

“Nuk duhet të ndalemi derisa të zbardhet fati i të gjithë të pagjeturve”, ka thënë ndër tjerash Lajçak.

Gjatë luftës në Kosovë janë vrarë rreth 13.000 njerëz, janë zhvendosur mbi 800.000, ndërsa janë zhdukur rreth 6.000.

 

Të zhdukur, edhe sot e kësaj dite, mbeten ende mbi 1. 600 persona.

Qindra trupa të shqiptarëve të vrarë të Kosovës janë gjetur në varrezat masive në Serbi.

Lajçak i ka falënderuar kryenegociatorët e Kosovës dhe Serbisë në dialog, Besnik Bislimi dhe Petar Petkoviq, për miratimin e udhërrëfyesit për zbatim të marrëveshjes për energjinë.

Sipas këtij udhërrëfyesi, parashihet që Zyra e Rregullatorit për Energji e
Kosovës (ZRRE), t’i lëshojë licencë për furnizim kompanisë Elektrosever, në
përputhje me kornizën ligjore dhe rregullative të Kosovës.

Më 24 qershor, ZRRE-ja ia ka miratuar licencën kësaj kompanie.

 

Elektrosever është në pronësi të kompanisë energjetike të Serbisë, EPS
(Elektroprivreda Srbije), por në Kosovë është themeluar me ligje të Kosovës.

Lajçak ka thënë se udhërrëfyesi tregon hapat konkretë për zbatimin e marrëveshjeve dhe u jep fund praktikave jotransparente, në mënyrë që të gjitha qytetet e Kosovës të kenë të njëjtat obligime.

Qytetarët e komunave në veri të Kosovës, Mitrovicë e Veriut, Leposaviq,
Zveçan dhe Zubin Potok – kryesisht me shumicë serbe – nuk kanë paguar për
rrymën e shpenzuar që nga viti 1999.

Për Asociacionin: Marrëveshjet e miratuara duhet të zbatohen

I pyetur për çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, Lajçaku ka thënë se marrëveshjet e miratuara duhet të zbatohen.

“Është zotim të cilin e ka pranuar Kosova, përfshirë miratimin në Kuvend, ka një parim të së drejës ndërkombëtare që thotë se ajo për të cilën është arritur pajtueshmëri, duhet të zbatohet. Këtë nuk e kërkon Brukseli, për këtë janë pajtuar palët”, ka thënë ai për Asociacionin, duke shtuar se për Serbinë kjo është çështje kyçe në dialog.

 

Formimi i Asociacionit është paraparë me një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të nënshkruar në Bruksel, në vitin 2013.

Dy vjet më vonë, dy vendet kanë arritur edhe një marrëveshje shtesë për themelimin e tij, por Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka konstatuar se parimet për të nuk janë në përputhje me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata, megjithatë, ka thënë se ato mund të harmonizohen me një akt ligjor të Qeverisë së Kosovës.

Kosova dhe Serbia janë në negociata për normalizimin e marrëdhënieve qysh në vitin 2011. Palët kanë arritur dhjetëra marrëveshje në fusha të ndryshme, por zbatimi i shumicës së tyre ka ngecur.

“E kuptoj rëndësinë e vizave”

Përgjatë konferencës, Lajçak ka thënë se e kupton rëndësinë e liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës, dhe se kjo çështje nuk ka pasur kurrë më shumë vëmendje në institucionet e BE-së.

“Më besoni se e kuptoj sa e rëndësishme është kjo çështje për ju dhe jam me ju. Kosova e meriton liberalizim e vizave, kjo gjë është dashur të ndodhë”, ka thënë ai.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që nuk gëzon liberalizim vizash me BE-në.

Liberalizimi i vizave për Kosovën ka qenë temë diskutimi në Samitin BE-Ballkani Perëndimor, të mbajtur më 23 qershor.

 

Qeveria e Kosovës ka thënë se ka plotësuar çdo kriter nga gjithsej 95 sa i ka vendosur BE-ja në udhërrëfyesin për liberalizim.

Megjithatë, procesi është penguar vazhdimisht nga disa shtete anëtare të BE-së, sidomos Franca, e cila ka shprehur rezerva për lëvizjen e lirë të kosovarëve./rel