Lajçak: Mbështetja për liberalizimin e vizave kurrë s’ka qenë më e fuqishme se tani

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka theksuar se kurrë s’ka qenë momentum më i favorshëm se tani për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Megjithatë Lajçak tha se s’mund të japë një datë të caktuar.

Lajçak theksoi se këtë çështje e ngre me shtetet anëtare, në dorë të të cilave është marrja e vendimit, sa herë që ka mundësi.

“Kosova e meriton liberalizimin e vizave. E shfrytëzoj çdo mundësi kur flas me shtetet anëtare për të folur për këtë çështje dhe jam plotësisht i vetëdijshëm si përfaqësues i BE-së që e viziton Kosovën rregullisht se sa është e rëndësishme kjo çështje për imazhin dhe kredibilitetin e BE-së”, deklaroi Lajçak.

Ai theksoi momentumi ekziston dhe se shpreson që kjo të rezultojë me vendimin për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Kurrë s’ka qenë aq e pritshme siç është tash. Po e përsëris, nuk e kam të drejtën ta them se kur do të vijë ky vendim, por mbështetja kurrë s’ka qenë më e fuqishme, vëmendja për këtë çështja s’ka qenë kurrë më e madhe. Momentumi ekziston. Po shpresoj që ky do të rezultojë me vendimin për dhënien e liberalizimit të vizave për Kosovën”, shtoi ai.

Ndryshe Lajçak gjatë deklarimit të tij sot tha se po punojnë për një takim të mundshëm në mes kryeministri Albin Kurti dhe presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, para pushimit veror të BE-së.