Gati dy milionë euro të shpenzuara nëpër misione diplomatike e të pa regjistruara nga MPJD-ja më 2021-ën

Zyra Kombëtare e Auditimit në pasqyën financiare për vitin e kaluar për Ministrinë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, ka hasur në një mal shkeljesh.

Në mesin e shkeljeve që janë identifikuar në raportin e Auditorit është edhe mos-regjistrimi i plotë i shpenzimeve të Misioneve Diplomatike dhe Konsullore.

Sipas këtij raporti, në vitin 2021 pati qarkullim të parave të gatshme nëpër xhepat e të dërguarve për misione diplomatike në vlerë prej 2,203,492€. Shumica prej tyre, nuk ishin regjistruar si shpenzime e të hyra nëpër Misionet Diplomatike Konsullore.

“Në vitin 2021 gjendja e parave të gatshme dhe avanceve të hapura në MPJD përfshirë Misionet Diplomatike dhe Konsullore (MDK) ishte në vlerë prej 2,203,492€. Prej tyre 1,986,538€ kishin të bënin me mos regjistrimin e shpenzimeve, rimbursimeve dhe të hyra konsullore në MDK kurse pjesa prej 216,954€ ishte petty-cash i MPJD-së”, thekson raporti i Auditorit.

Siç vijon më tutje, shpenzimet e pa regjistruara janë trend dhe po shkojnë duke u rritur nga viti në vit.

Zyra e Auditorit ka kërkuar nga udhëheqësja e dikasterit, Donika Gërvalla-Schwarz, që të sigurojë të gjitha shpenzimet e kryera në Misionet Diplomatike dhe Konsullore të regjistrohen në Sistemin Informativ për Menaxhimin e Financave të Kosovës deri në fund të vitit. /Lajmi.net/