Ky fenomen po e tkurr popullsinë në Kosovë / Rritje e divorceve dhe rënia e natalitetit

Dhuna dhe divorcet ndërmjet ҫifteve janë ndër temat që më së shpeshti po komentohen kohët e fundit. Thuajse ҫdo ditë në media po raportohet për dhunë e shumë herë edhe vrasje ndërmjet bashkëshortëve.

Gjatë vitit 2021, në Kosovë janë regjistruar 1.548 raste të dhunës, prej të cilave 1.396 janë regjistruara si dhunë në familje. Gjashtë gra janë vrarë brenda vitit që lamë pas nga bashkëshortët e tyre.

Në 445 raste, siç thuhet, ka pasur kërkesa për urdhër-mbrojtje të viktimave të dhunës në familje, kurse në 36 raste janë lëshuar urdhër-mbrojtje emergjente.

Si pasojë e vrasjeve, problemeve e divorceve ndërmjet ҫifteve, numri i natalitetit po bie në Kosovë, dhe kur kësaj i shtohet numri i madh i të rinjve, veçmas, që po e braktisin atdheun, këto po shkaktojnë tkurrje të popullsisë.

Gazeta ‘Bota sot’ ka kontaktuar me ekspertë të fushave të ndryshme për të gjetur shkaqet e rritjes së numrit të divorceve dhe si të ruhet demografia e Kosovës.

Limani: Në ish Jugosllavi, familja më stabile, ishte familja shqiptare

ImageMusa LimaniFOTO GALERI

Kështu profesori universitar dhe eksperti i ekonomisë, Musa Limani në një prononcim për ‘Bota sot’, thotë se, në Kosovë kohët e fundit po ka shumë divorce, një dukuri jo e mirë kjo e që në këtë proces ndikojnë shumë faktorë.

“Po, është shumë e vërtetë se tani në Kosovë ka shumë divorce. Një fjalë popullore thotë: Mes burrit e gruas mos ndërhy. Mirëpo, sido që të jetë kjo është një dukuri jo e mirë. Në ish-Jugosllavi, familja më stabile ishte familja shqiptare. Në këtë proces ndikojnë shumë faktorë: politikë, shoqëror, psikologjik e mbi të gjitha faktorët ekonomik e social. Në jetën bashkëshortore, duhet të ketë mirëkuptim. Me rastin e shkurorëzimit, pësojnë fëmijët, por edhe shoqëria”, thekson profesor Limani.

Po ashtu, ai përmend edhe një tjetër dukuri që po ndikon negativisht në lëvizjet demografike në Kosovë.

“Pos kësaj, në Kosovë, kemi edhe një dukuri, që nuk ka qenë karakteristike tek ne shqiptarët-bashkëjetesa, që paraqet dukuri negative në lëvizjet natyrore demografike në Kosovë. Madje, edhe nëse rinia hynë në jetën bashkëshortore, nuk po bëjnë më shumë se dy fëmijë, me përjashtime. Kjo ka ndikuar që shtimi natyror i popullsisë në Kosovë, të bie nga 46 mijë persona në vit, sa ishte me 1988, në 12 mijë persona me 2020. E gjithë kjo është pasojë e mos zhvillimit ekonomik, mendoj unë”, thekson ai.

Po ashtu, profesori i ekonomisë thotë se në Kosovë, papunësia e popullsisë aktive është shumë e madhe.

“Andaj, kjo ka ndikuar që të rritet migracioni i rinisë, dita më ditë po zbrazet Kosova. Po rritet varfëria, e ajo sjellë edhe pakënaqësi dhe probleme në familje. Andaj, mendoj unë, se çelësi i zgjidhjeve të gjitha problemeve të sipër cekura, duke mos lënë anash edhe faktorë të tjerë, është zhvillimi ekonomik. Prandaj, prioritet i prioriteteve të Qeverisë aktuale të Kosovës, duhet të jetë zhvillimi ekonomik”, vlerëson profesori Musa Limani.

Prokshi: Faktorët kryesor që ndikojnë në tkurrjen e popullsisë dhe rënien e natalitetit në Kosovë

ImageDhurata ProkshiFOTO GALERI

Lidhur me këtë çështje ka folur edhe sociologia Dhurata Prokshi për ‘Bota sot’. Ajo ka përmendur edhe faktorët kryesor që ndikojnë në tkurrjen e popullisë dhe rënien e natalitetit në Kosovë.

“Lidhur me tkurrjen e popullsisë në Kosovë dhe rënien e natalitetit ka 2-3 shkaktarë që duhet t’i kem parasysh, e ato janë shtyrja e moshës së martesës për meshkujt dhe femrat, dhënia e prioritetit zhvillimit profesional e material, si faktorë i dytë është që çiftet e shikojnë me përgjegjësi dhe si obligim sjelljen në jetë të fëmiut, ku duhet të bëhet baraspeshë në mes të jetës private dhe asaj profesionale që e kushtëzon mirëqenien e kësaj të pares, ngritjes së standardit dhe kërkesave për rritjen, edukimin dhe mirëqenien e fëmijëve e në të cilin aspekt shteti ynë është i mangët me politika dhe forma të tjera të mbështetjes që do ta nxisnin një gjë të tillë sikurse që ndodhë në disa nga vendet e rajonit ku ka politika që stimulojnë natalitetin kushtimisht ҫiftet e reja apo familjet bazë në këtë drejtim”, vlerëson sociologia Prokshi.

Ajo më tutje përmend edhe disa nga arsyet që mund të dërgojnë deri tek divorcet, duke shkaktuar këtë situatë në të cilën jemi.

“Sa i përket divorceve nuk mund t’i gjeneralizojmë arsyet. Do të duhej të bënim ndarje apo grupim të rasteve që do të mund t’i kategorizonin arsyet mbase disa nga arsyet që dominojnë janë, zbehja e institucionit të martesës, ulja e nivelit të kompromisit apo mungesa e gjetjes së gjuhës së përbashkët si dhe ulja e paragjykimeve për divorcin si akt natyrisht ka edhe arsye të tjera për të cilat do të duhej të bëhej një analizë më e thellë”, thekson sociologia Dhurata Prokshi.

Psikologia: Divorcet tani vijnë edhe nga vendimet e gruas

ImageKosovare Gjevukaj TolajFOTO GALERI

Po ashtu për këtë ҫështje ka folur për ‘Bota sot’ edhe psikologia, Kosovare Gjevukaj Tolaj. Ajo thotë se, për numrin në rritje të divorceve arsyeja kryesore është mosbarazia dhe përcjellja brez pas brezi të reflektimit patriarkal të burrit dhe cenimit të fjalës së gruas.

“Mund të vërehet një rritje drastike e divorceve, një prej arsyeve vjen e gjitha si rezultat i mosbarazisë dhe përcjelljes brez pas brezi të reflektimit patriarkal të burrit dhe cenimit të fjalës së gruas. Divorci tani vjen dhe nga vet vendimi i gruas sepse gratë janë fuqizuar dhe arsimuar dhe nuk kanë nevojë për një krahë burri për tu mbështetur, kur ato cenohen dhe nuk respektohen”, thekson ajo.

Psikologia Gjevukaj Tolaj thotë po ashtu se, mund të jenë dhe arsye si dhuna fizike, verbale, mos përputhje mendimesh, kushtet sociale, përfundimi i lidhjes shpirtërore e shumë arsye tjera që sjellin në fund një vendim si divorci.

“Në anën tjetër vërehet një ulje e lindjeve respektivisht natalitetit me vlera në rënie. Si e ceka më lartë gratë dhe vajzat nuk kanë më si pikësynim vetëm lindjen e një fëmije, por edhe ngritjen në karrierë dhe ndërtimin e një jete ku fjalën e fundit për vendimet e veta e thonë vet ato dhe jo dikush mbi to, andaj edhe koha për fëmijë mund të zgjatet dhe reduktohet dëshira për të pas shumë fëmijë për arsye të obligimeve dhe kohës së vyer që ju nevojitet për përkujdesjen e një fëmije”.

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës gjatë gjashtëmujorit të parë të vitit 2021 janë shënuar 280 raste të prishjes së kurorëzimit. Ndërkaq në të gjithë vitin 2020-të sipas ASK-së janë regjistruar gjithsejtë 220 raste të ndarjeve mes çifteve bashkëshortore. Në vitin 2019-të janë 722 raste, në vitin 2018-të janë 713 raste ku çiftet i dhanë fund martesës.