Ky është njëri nga kandidatët e ASH për deputetë nga komuna e Likovës

Agjencia e lajmeve INA mëson se, Omer Ajdini pritet të jetë në listën kandidat për deputetë i Aleancës për Shqiptarët nga Komuna e Likovës.
Omer Ajdini nga Nikushtaku i Likovës aktualisht është kryetar i Forumit Rinor të Aleancës për Shqiptarët (ASH).
Ai ka studiuar dhe magjistruar në Shkenca Politike, ndërsa të njëjtat i ka përfunduar në Malajzi.

Koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa pritet të caktojë kandidatët për listat për deputetë për zgjedhjet e 12 prillit.
Organet partiake, përfshirë degët e këtyre dy partive pritet që gjatë kësaj jave të nisin me nominimet e kandidatëve për listat për deputetë. Megjithatë tashmë jozyrtarisht janë mësuar disa nga emrat që do të jenë bartës të listave për deputetë, në 4 njësitë zgjedhore ku do të konkurrojë ky koalicion.
Siç mëson INA, në njësinë nr.1 zgjedhore përflitet që bartës të jetë Bekim Sali, stomatologu që vjen nga radhët e Alternativës. Në njësinë nr.2 do të garojë kryetari i Alternativës, Afrim Gashi. Nuk dihet se ky koalicion a do të ketë kandidat në njësinë e tretë zgjedhore. Në njësinë nr.5 zgjedhore që përfshin Strugën dhe Dibrën pritet që bartës të jetë deputeti i deritanishëm i ASH-së, Syrja Rashidi, ndërsa në njësinë nr.6 do të prijë kreu i ASH-së, Ziadin Sela, mëson INA. Ndërkohë, akoma kanë mbetur hapur pozitat e tjera dhe se pritet të nominohen shumë emra, kryesisht nga figura të njohura reprezentuese të këtij koalicioni. Shefat e shtabeve të këtij koalicioni janë sekretarët e përgjithshëm, Arben Taravari nga ASH dhe Skender Rexhepi nga Alternativa.(INA)