Kuvendi pritet të mbajë seancë urgjente për dhunën ndaj grave dhe femicidin

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut pritet të mbajë seancë urgjente kushtuar dhunës ndaj grave, dhunës në familje dhe rasteve të femicidit, pas propozimit të opozitës, të pranuar edhe nga shumica parlamentare.

Kryeparlamentari Afrim Gashi deklaroi se kërkesa zyrtare ende nuk ka mbërritur në Kuvend, por sapo të dorëzohet, do të veprohet menjëherë.

Sa i përket projektligjit kundër dhunës, të dorëzuar më 26 gusht, Gashi bëri të ditur se dokumenti i është dërguar Qeverisë për mendim, pas së cilës do të vazhdojë procedura parlamentare.

Gashi theksoi se lufta kundër dhunës ndaj grave kërkon angazhim të përbashkët institucional dhe shoqëror.