Kuvendi i Kosovës nis punimet me një minutë heshtje për viktimat e aksidentit në Kroaci

Kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, ka propozuar që para fillimit të seancës së Kuvendit të mbahet një minutë heshtje për viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci të dielën, raporton Gazeta Express.

“Propozoj që ta mbajmë një minut heshtje për t’i nderuar 10 bashkëatdhetarët tanë të cilët para tre ditësh në aksidentin tragjik në Kroaci e humbën jetën”, tha Konjufca para deputetëve.

Ndryshe, dhjetë veta me prejardhje nga Kosova humbën jetën, kur autobusi me të cilin udhëtonin – nga Frankfurti për në Prishtinë – doli nga rruga në qytetin Sllavonski Brod.

Autobusi me targa të Kosovës po transportonte 67 pasagjerë.
Reklamë

Shoferi u ndalua nga autoritetet kroate në vendin e ngjarjes, ndërsa të martën atij iu caktua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.

Të martën mbrëma, në Kosovë arritën 21 të mbijetuar të aksidentit.

Ata u pritën në aeroportin në Prishtinë nga udhëheqësit e shtetit të Kosovës, ndërsa më pas u shoqëruan nga familjarët e tyre./Express/