Kuvendi e miratoi Ligjin e ri për ndërtim

Kuvendi sot e miratoi Propozimin e Ligjit për ndryshime dhe plotësime të Ligjit për ndërtim. Prej gjithsej 65 deputetëve, “për” votuan 48, 17 ishin “kundër”, nuk kishte asnjë të përmbajtur.

Sipas propozuesit Ministrisë së Transportit dhe Lidhjeve, me ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për ndërtim bëhet precizim i procedurës dhe dokumentacionit të nevojshëm për marrjen e lejes për ndërtim dhe për përdorim, si dhe harmonizim me Ligjin për mbikëqyrje inspektuese dhe Ligjit për shkeljet.

Për deputetët e opozitës, ndryshimet e ligjit miratohen në interes të ndonjë të fuqishmi dhe do të krijojnë kaos urbanistik. Shumica në pushtet vlerëson se jepet mundësi që të legalizohet aty ku lejohet sipas planeve urbanistike.

Deputeti i VMRO-DPMNE-së, Dimitar Stevanxhia vlerëson se me ligjin do të krijohet kaosi urbanistik dhe se ndryshimet miratohen në interes të ndonjë biznesmeni dhe se ministri i Transportit dhe Lidhjeve është i shtyrë që ta mbrojë këtë ligj, i cili, siç tha, është ultrakorruptues.

“Këtë ligj e quajtëm ‘i fuqishmi i mbrojtur’. Nëse keni 90 për qind pronësi mund të ndërtoni. Mund të ndërtoni edhe në ato 10 për qind. Paramendoni ato 10 për qind të jenë lëndë e denacionalizimit. Paratë do të ikin si “Fikom”, qytetarët do të jenë konfuz. Situata e dytë, çka nëse ato 10 për qind janë pjesë e hulumtimit arkeologjik. Çka do të ndodhë atëherë, pyeti deputeti i VMRO-DPMNE-së.

Ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Goran Sugareski ia tërhoqi vërejtjen deputetit Stavanxhia se në foltore kishte thënë teza të pasakta dhe se aspak nuk ka krim.

“Përfundimi i parcelës ndërtimore bëhet sipas Ligjit për tokë ndërtimore, me kushte të parapara saktë. Përfundimi i parcelës me 10 për qind tokë ndërtimore nuk do të bëhet pa përcaktuar. Nuk është e ndershme që t’i frikësoni njerëzit që të mos blejnë banesa”, tha ministri Sugareski.

Deputetja e LSDM-së, Keti Smilevska theksoi se ato 10 për qind saktë dihen se kush janë.

Deputeti Antonio Milloshovski, njëjtë si bashkë partiaku i tij Stevanxhija dyshon se ky ligj sillet në interes të ndonjë të fuqishmi, i cili së shpejti do të dihet.