Kushtetutat tona copy-paste

Arbër Çeliku

Kafja e mëngjesit të shijon në katund, sidomos tani pas orës policore, kur lokalet i kanë ndezur aparatet e espresove. Në lokalin ku shkoj unë, përveç fytyrave të njohura të bashkëvendasve të mi, kishte edhe disa jabanxhi, të cilët i përshëndeta dhe u ula në tavolinën karshi. Si zakonisht, bisedat ishin të gjalla, përplot gallata, thashetheme. Në to ka plot metaforizime, ironi, sarkazma, sidomos kur fshati im njihet për kësi diskursi në rrethinën e Kërçovës. Nuk e kam zakon të ndërhyj në biseda private dhe për ta zhvendosur vëmendjen, rrëmoj në telefonin tim celular, derisa të pi kafen dhe të ik. Megjithatë, kur je aq afër, do s’do, ndonjë fjalë të bie në kokë sikur me çekan. “Atij s’ka çfarë i bën askush, se ka mbaruar për gjykatës”, tha njëri nga jabanxhitë. Mjaftoi leksema “gjykatës”, që mua të më zhvillohej një tekst i tërë në kokën time. Sidomos, kur ende ishte aq i freskët vendimi i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës. M’u duk e tepërt t’ia sqaroja atij se si bëhet njeriu gjykatës, por truri im filloi të rridhte vetvetiu. Duhet të marrësh një diplomë në shkencat juridike (me dije apo me ‘intervenime’, siç njihen ndër ne, kjo s’ka fare rëndësi, kryesorja ta kesh letrën), pastaj i nënshtrohesh testit të jurisprudencës në kuadër të Ministrisë së Drejtësisë, i cili zakonisht merret me lidhje, intervenca dhe para, pastaj, për t’u emëruar gjykatës, aminin e merr nga partia në pushtet. Rrugë e gjatë dhe e mundimshme, por ia vlen barra qeranë. Të paktën, derisa nuk merr SMS apo telefonata, të cilat duhet t’i çosh në vend. Atëherë fillojnë dhe shfaqen problemet e gjykatësit, i cili duhet ta paguajë faturën e epitetit ‘gjykatës’. Pagesat janë të formave të ndryshme, varësisht nga lartësia e çmimit, por që nuk ia vlen të trajtohet me këtë rast, ngaqë, pak a shumë, të gjithë i dinë. Dua të them se shpejt jeta kthehet në një makth të paparë, sidomos kur tashmë, për dallim nga periudhat e mëhershme, kur partia emëronte gjykatës, sot atë e bëjnë bandat. Dhe, si rrjedhojë, drejtësia ndahet nga bandat. Dorën në zemër, nuk është detyra e gjykatave të ndajnë drejtësi, sepse ato janë të zhveshura nga parimi i ‘moralitetit’. Ato bazohen në fakte dhe ligje, që burojnë nga kushtetuta. Dhe, kështu ndodh, kur kushtetutat tona hartohen copy-paste dhe lënë hapësira të shumëta për interpretime dosido…