Pas akuzave të opozitares VMRO-DPMNE, se Qeveria bashkë me LSDM-në kanë rritur çmimin e energjisë elektrike, kanë reaguar nga LSDM. Nga atje thonë se gjatë kohës së qeverisjes së VMRO-DPMNE-së çmimi i rrymës për amvisëri u rrit për 100 për qind, ndërsa një pjesë të kësaj periudhe Hristijan Mickoski ka qenë këshilltar për energjetikë i Nikolla Gruevskit pastaj drejtor i EMV-së.
“Pa pasur çfarëdo krizë globale energjetike, VMRO-DPMNE e ka hequr tarifën e lirë ditore, pastaj si opozitë ka kundërshtuar rikthimin e saj. Sot, Qeveria e drejtuar nga LSDM edhe në kushte të krizës globale energjetike ndërmerr masa për përballje me të njëjtën dhe mbrojtjen e standardit të qytetarëve dhe biznesit”, thonë nga LSDM.
Sipas tyre, me kohë janë aktivizuar të gjitha kapacitetet e disponueshme për prodhimin e rrymës nga burime vendore me qëllim të ulet varshmëria e importit të rrymës së shtrenjtë që drejtpërdrejtë ndikon mbi çmimin e rrymës.
“Qeveria e drejtuar nga LSDM ka siguruar 60 milionë denarë me të cilat do të ndihmohen rreth 7.500 familje të kategorive të rrezikuara përmes subvencionimit të faturave të energjisë elektrike. Qeveria dhe institucionet kompetente e ndjekin gjendjen në sektorin energjetik dhe janë të përgatitur të përballen me të gjitha sfidat që do të pasojnë në periudhën që vjen. LSDM vazhdon me realizimin e masave për mbrojtjen e standardit jetësor dhe avancimin e sektorit energjetik”, përfundojnë nga LSDM.