Kurti: Zgjidhja e çështjeve të mbetura mes Kosovës e Serbisë, në interes të rajonit

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje dhe i nominuari për kryeministër, Albin Kurti ka theksuar se në takimin që ka pasur me Përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme BE-së, Josep Borrell, kanë diskutuar për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në.

“Dialogu duhet të jetë për çështjet e pa adresuara e të pa zgjidhura, duhet të jetë i përgatitur dhe parimor. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kjo duhet të jetë premisa e çdo dialogu dhe epilogu i çdo marrëveshje”, ka shkruar Kurti në Facebook.

Postimi i Kurtit:

Sot e mirëpritëm në Prishtinë përfaqësuesin e lartë për politikë të jashtme dhe të sigurisë/zëvendës presidentin e Komisionit në Bashkimin Evropian, z. Josep Borrell Fontelles.

Diskutuam për marrëdhëniet e Kosovës me BE-në në kuadër të procesit të integrimit si dhe për dialogun e zhvillluar nën drejtimin e BE-së. E përsërita qëndrimin tonë për shqyrtimin e marrëveshjeve të nënshkruara deri më tani, për nga zbatimi e ndikimi i tyre, dhe nevojën e një diskutimi me z.Borrell për fazën e re të dialogut me Serbinë. Duhet të rishikojmë dhe vlerësojmë cilësinë e marrëveshjeve të mëhershme para se të negociojmë dhe nënshkruajmë marrëveshje të reja. Nuk duhet të vonohemi, por edhe nuk mund të ngutemi.

Dialogu duhet të jetë për çështjet e pa adresuara e të pa zgjidhura, duhet të jetë i përgatitur dhe parimor. Kosova është shtet i pavarur dhe sovran, kjo duhet të jetë premisa e çdo dialogu dhe epilogu i çdo marrëveshje.

Ne besojmë në fuqinë e Bashkimit Evropian për t’u bashkuar rreth qëllimeve të përbashkëta për të mirën e përbashkët. Zgjidhja e çështjeve të mbetura mes Kosovës e Serbisë është në interes të gjithë rajonit.

Gjithashtu e njoftova z. Borrell edhe me përpjekjet për krijimin e qeverisë së re e cila do të marrë drejtim në javën që vjen. Drejtësia e shtetit me sundim të ligjit dhe zhvillimi ekonomik me punësim sidomos për të rinjtë dhe gratë do të jenë prioritet yni.