Kurti pritet t’i ftojë sërish partitë për takim, Aleanca nuk ndryshon qëndrim

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, do t’u drejtohet sërish partive opozitare në përpjekje për të zhbllokuar procesin e konstituimit të institucioneve.

Këtë e ka bërë të ditur zëvendësi i tij, Glauk Konjufca.

“Kurrë nuk duhet të lodhemi nga dialogu politik. Duhet të vazhdojnë përpjekjet për konstituimin e institucioneve tona. Edhe PDK-së, edhe LDK-së, edhe Aleancës do t’u drejtohet Kurti”, deklaroi Konjufca para mediave.

Lidhur me këtë, Gazeta Blic ka pyetur Aleancën nëse ka ndryshuar qëndrim për mos t’u takuar me Kurtin.

Sekretari i përgjithshëm i partisë, Avni Arifi, konfirmoi për Gazeta Blic se nuk ka ndryshim të qëndrimit dhe se nuk do të ketë takim me Kurtin.

“Asgjë nuk ka ndryshuar. Aleanca e ka një qëndrim prej qershorit. Nuk do të befasojmë askënd me ndonjë qëndrim tjetër”, deklaroi ai.

Gazeta Blic ka pyetur edhe PDK-në nëse ka ndryshuar qëndrim, por nuk janë përgjigjur nga partia, e as LDK nuk ka dhënë përgjigje nëse pritet të ketë takim së shpejti mes Kurtit e Abdixhikut./Gazeta Blic/