Haxhiu: Refuzimi i takimeve nuk është zgjidhje, opozita t’u përgjigjet ftesave

Ushtruesja e detyrës së presidentes, Albulena Haxhiu, ka bërë thirrje për intensifikimin e takimeve politike në përpjekje për të arritur një marrëveshje lidhur me çështjen e zgjedhjes së presidentit të vendit.

Ajo ka komentuar edhe qëndrimin e kryesuesit të seancës konstituive të Kuvendit, Avni Dehari, i cili ka vlerësuar se, në rrethanat aktuale politike, duhet t’i jepet përparësi arritjes së një marrëveshjeje politike në përputhje me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese.

“E keni parë qëndrimin e kryesuesit të seancës konstituive, z. Avni Dehari. Pra, siç e dini, Rregullorja e Kuvendit i jep të drejtën kryesuesit të seancës konstituive që ta thërrasë seancën. Për shkak të zhvillimeve të fundit, tensioneve, përshkallëzimeve, e ka konsideruar që duhet t’i jepet përparësi marrëveshjes politike, në linjë me njëjtin me aktgjykimet e Gjykatës Kushtetuese”, ka deklaruar Haxhiu.

Haxhiu ka thënë se gjatë ditëve në vijim duhet të shtohen takimet ndërmjet subjekteve politike dhe jo të refuzohen ato.

“Unë uroj që gjatë këtyre ditëve të shtohen takimet, jo të refuzohen ato. Refuzimi nuk është zgjidhje dhe refuzimi nuk na çon te situata ku ta kemi një marrëveshje për çështjen e presidentit”, është shprehur Haxhiu.

Sipas saj, subjektet opozitare duhet t’u përgjigjen ftesave për takim dhe të heqin dorë nga kërkesat që, sipas saj, nuk janë në përputhje me vullnetin e qytetarëve.

“Prandaj, edhe uroj që subjektet opozitare t’u përgjigjen ftesave për takim dhe, në anën tjetër, të heqin dorë nga kërkesat të cilat janë në shpërputhje me vullnetin e qytetarëve”, shtoi ajo.