Kurti: Pranova planin evropian, Asociacioni bëhet nëse plotësohen 6 parimet

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se plani evropian përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që e njohin shtetësinë njëra-tjetrës defakto. Kurse, çështja e Asociacionit do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit, i cili mund të krijohet nëse plotësohet 6 parimet që i ka paraqitur në Kuvendin e Kosovës.

Kurti në seancën e Kuvendit të Kosovës, ku po diskutohet për dialogun Kosovë-Serbi, ka thënë se si Qeveri qëllim kishin problemet e zbatushmërisë së marrëveshjeve të nënshkruara dhe hapjen e kapitullit për marrëveshje përfundimtare.

Ai tha se takimi i 18 gusht 2022, ishte rezultat i Qeverisë së Kosovës për marrëveshjen përfundimtare, pasi u ka thënë se nuk do të pranojë më një dialog që nuk është për një marrëveshje përfundimtare me njohje reciproke.

E si rezultat e kësaj, Kurti përmendi vizitën e 9 shtatorit të vitit 2020, të dy emisarëve ku edhe prezantuan propozimin franko-gjerman, derisa foli edhe për karakteristikat që ngërthen në vete ky propozim.

“Që në komentin e parë të qeverisë ne e vlerësuam propozimin si një bazë të mirë për diskutimin të mëtejshëm për arsye se propozimi për herë të parë vendoste në fokus marrëdhëniet e jashtme ndërkombëtare të Kosovës dhe Serbisë, të gjitha marrëveshjet e mëhershme kishin të bënin me çështje të brendshme të Kosovës…propozimi bazohej në parimin e reciprocitetit të të drejtave dhe detyrimeve të palëve, pra Kosovës dhe Serbisë…propozimi për herë të parë ngërthente në vete njohjen defakto të shtetësisë së palëve ndaj njëra tjetrës…..e vetmja pikë shumë kontestuese është ajo që lidhet me pranimin e zbatimit të marrëveshjeve të Brukselit të cilat fatkeqësisht janë marrëveshje që kanë në përmbajtje monoetnik, atë territorial dhe atë të monopolizimit të përfaqësimit të komunitetit serb në duart e listës serbe që kontrollohet nga Beogradi“, tha Kurti, duke shtuar sepropozimi përmbante detyrim të pranimit të saj nga Serbia para anëtarësimit të saj në institucionet e BE-së.

Kurti u ndal edhe te versioni i dytë i propozimit më 6 dhjetor 2022, nga lehtësuesi i dialogut, Miroslav Lajçak, i cili është edhe plani përfundimtar, ku tha se nuk kishte ndryshuar propozimet e para, veçse ishte bashkuar edhe një plan i zbatimit.

“Megjithatë, dokumenti kryesor shoqërohet edhe me një plan zbatimi që kishte referencë të qartë tek një staturt që do të hartonte ekipi menaxhues, obligim që rrjedhë nga marrëveshja e vitit 2013 e që ishte tregues për krimin e asociacioni të komunave me shumicë serbe. Më datë 20 janar 2023, emisarët amerikan, gjerman, francez dhe italian i dhanë disa takime në këtë takim të fundit. Ata më banë të qartë që propozimi kryesor është fare pranë formatit merre ose leje, nuk do të lejohet praktikisht hapja apo negocimi i tij. Qëndrimi i tyre ishte që i tërë aparati diplomatik e politik i shteteve prej nga vinë emisarët është vënë në mbështetje të anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe nuk mund të pritet një jo nga Kosova sepse do të hynim në një rrugë të konfrontimit me ta. Ata gjithashtu ma bën të qartë se çfarëdo refuzimi i propozimit do të shoqërohet me hapa kundërshtues dhe ndëshkues diplomatik për Kosovës dhe do të krijojë dobësim serioz të mirëbesimit ndërmjet nesh dhe shteteve të tyre”, tha ai se në fillim u ka dhënë qëndrimin e tij në formë të shkruar.

“Qëndrimi im në atë takim është që propozimi kryesor është parimisht i pranueshëm por duhet të përfshijë më shumë element garantues dhe siguresa të efektivitetit sa i përket anëtarësimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, shtimin të numrit të njohjeve dhe një sekuencim të ngjarjeve në një formë të tillë që të ketë kuptim normalizimin në mes dy shteteve. Pas vizitës së Miroslav Lajçak, më datë 6 shkurt 2023 dhe qartësimit të disa prej mekanizmave dhe elementeve të sekuencimit që do të negociohen në kuadër të planit të zbatimit, unë ia konfirmova plani është bazë e mirë për bisedime të mëtejme dhe platformë solide për të ecur përpara. Kjo nënkupton që pranimi i dokumentit kryesor është pa paragjykim nga negocimi i planit të zbatimit”, tha ai.

Ai gjithashtu tregoi se kur mund të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe.

“Pranimi i propozimit kryesor përbën një avancim serioz në raportet ndërkombëtare me Serbinë si dy shtete që e njohin shtetësinë njëra tjetrës defakto, plani kryesor nuk ka asnjë referencë për ndonjë asociacion, megjithëse i referohet marrëveshjeve të Brukselit në tërësinë e tyre dhe tash kur do të lindin pyetjet më serioze në ndërlidhje me Asociacionin do të jetë në procesin e negocimit të planit të zbatimit, aty qëndrimi im është se Asociacioni mund të krijohet nëse plotësohet 6 pikshi apo 6 parimet që i kamë paraqitur këtu një javë më parë”, tha ai.