Kurti për deklaratën në Bruksel: Nuk besoj që ka luftëtarë të UÇK-së që janë kriminelë të luftës

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se deklaratën e tij për atë se Ballkani duhet të lirohet nga kriminelët që janë në pushtet, nuk e ka potencuar për herë të parë vetëm në Bruksel.
Ai para Kuvendit të Kosovës iu është përgjigjur pyetjes së deputetit të PDK-së, Abelard Tahirit, i cili ka thënë se Kurti po frikësohet që t’i thotë Serbisë se kanë kryer krime.

“Pa numër herë edhe në këtë Kuvend të Republikës edhe në media në këto vitet e fundit, unë kam folur edhe për kriminelët e luftës edhe të paqes. Nuk e kam thënë për herë të parë në Bruksel po të thuhej aty për herë të parë do të kishte ndonjë nënpyetje”.

“Serbia po e di për kë e kam fjalën, Brukseli po e di për kë e kam fjalën s’di pse lajmërohen në Kosovë disa kot si kot. Pra unë nuk besoj që ka luftëtarë të UÇK-së që janë kriminelë të luftës, por unë besoj se kriminelë të luftës nuk ka veç në Serbi, ka edhe në veri të Kosovës ka edhe në Bosnje, ndoshta ka edhe në Mal të Zi, aty nuk kam folur me shtete, kam folur për rajonin, sepse darka e punës ishte bilaterale, ishte multiraterale”, ka thënë Kurti.