Kurti pas takimit me senatorët amerikanë: Folëm për raportet me Serbinë dhe rezultatet e dialogut

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka mbajtë një konferencë për media pas takimit me senatorët amerikanë, Chris Murphy dhe Gary Peters.

Ai tha se me senatorët ndër të tjera folën për raportet me Serbinë dhe rezultatet e dialogut, siç u shpreh ai, me theks të veçantë tek marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit.

“Sot krahas marrëdhënieve dy palëshe, diskutuam poashtu mbi zhvillimet e fundit në vend, për qeverisjen tonë tani pak më shumë se dyvjeçare, arritjet, progreset dhe synimet përpara.

“Bashkëbiseduam edhe për raportet me fqinjin tonë verior, Serbinë dhe rezultatet e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuara nga Bashkimi Evropian, me theks tek marrëveshja bazike dhe aneksi i zbatimit”, u shpreh ai.

Kurti u shpreh se duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime, përcjell Klankosova.tv.

“Ato përbëjnë avansim të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve dhe janë platformë e mundësi për normalizim të plotë të tyre. Prandaj, na duhet zbatim i tërësishëm, i shpejtë dhe pa kushtëzime. I falënderojë edhe njëherë senatorët amerikanë për vizitën, interesimin dhe kontributin e tyre të vazhdueshëm për fuqizimin e lidhjeve ndërmjet shteteve tona mike, partnere dhe alete, jeni të mirëseardhur çdoherë, ju faleminderit”, u shpreh tutje ai.