Kurti mirëpriti Bouyxin, e falënderoi për përkrahje në procesin e anëtarësimit të Kosovës në KE

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, mirëpriti sot Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx, që në takim shoqërohej nga Ambasadori i Francës në Kosovë, Olivier Guerot.

Bëhet e ditur se Kurti falënderoi Bouyxin për përkrahjen e tij në procesin e anëtarësimit të Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës. Pas miratimit të raportit të raportueses Dora Bakoyannis në Komision, pritet votimi i të njëjtit nga Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës me 16 prill.

“Republika e Kosovës po shënon progres të vazhdueshëm në zhvillimin e demokracisë dhe sundimit të ligjit, sipas organizatave prestigjioze ndërkombëtare. Besimi në të drejtat e njeriut është thelbësor pasi i bën bashkë universalitetin dhe barazinë”, tha kryeministri Kurti gjatë takimit.

Republika e Kosovës është e përkushtuar ndaj garantimit të të drejtave të të gjithë qytetarëve dhe është e gatshme të rreshtohet me shtetet tjera anëtare në mbrojtjen dhe avancimin e të drejtave dhe lirive themelore, përmes anëtarësimit në Këshillin e Evropës në 75-vjetorin e themelimit të tij, thuhet tutje në kumtesën për media të kryeministrisë.

Kryeministri Kurti mirëpriti Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx. 02.04.2024. Foto: ZKM
Kryeministri Kurti mirëpriti Kryetarin e Komisionit për Çështje Politike dhe Demokraci në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bertrand Bouyx. 02.04.2024. Foto: ZKM