Kurti: Me termat e ‘vllaznillëkut’ për arsim ka mundur të flitej në të kaluarën, por jo më

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka sqaruar kritikën për kryetarin e SBAShK-ut, Rrahman Jashari, pasi ky i fundit i tha “vëlla”.

Kurti tha se i ka dy vëllezër, e sipas tij, asnjëri prej tyre as në Qeverinë Kurti I e as në Qeverinë Kurti II s’kanë shkuar në ndërtesë të qeverisë, pasi sipas tij, vëllezërit janë për në shtëpi.

“Ka kaluar koha kur dikush bëhet kryeministër me vëllazëri. Unë natyrisht që irritohem kur dikush vjen në Zyrën e Kryeministër e të thotë vëlla”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.

Tutje, ai tha se të flasësh për arsimin me termat e ‘vllaznillëkut’ midis kreut të SBAShKut dhe kryeministrit mund të kenë qenë në të kaluarën, por sipas tij s’është më dhe s’do të jetë deri sa ai të jetë kryeministër.

Kurti, më tej tha se ata [qeveria] i ndihmojnë familjes së mësimdhënësit, por sipas tij, mësimdhënësi duhet t’i ndihmojë shtetit me mësim në dërrasë të zezë.

“Nuk merret paga për shportën ushqimore, ajo përdoret për shportën ushqimore. Për shportën ushqimore ne e kemi Pakon e Përballjes me Inflacion”, është shprehur Kurti, njofton Klankosova.tv.