Kurti: Mbështetja historike që na dhanë qytetarët, dëshmon sa të dëshpëruar ishin me qeverisjet e kaluara

Kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka thënë që viti që lamë pas u mbizotërua nga pandemia dhe pasojat e saj.

“Secili vit i ka sfidat e tij. Ky vit, sikurse edhe ai i kaluari u mbizotërua nga pandemia dhe pasojat e saj. Kufizime që secili prej nesh i ka përjetuar në aktivitetet tona të përditshme dhe të preferuara nuk mund të krahasohen me dhimbjet që disa prej nesh i kanë ndjerë nga humbja e më të dashurve tanë, shkaktuar nga ky virus që e solli pandemia”.

Kurti në adresimin para mbledhjes së qeverisë, tha që qytetarët ishin dëshpëruar me ata që i udhëhoqën në të kaluarën dhe sipas tij në zgjedhjet e fundit nacionale i dhanë mbështetje Vetëvendosjes.

“Mobilizimi i jashtëzakonshëm i qytetarëve për të na dhënë mbështetjen historike, është dëshmi se sa i madh ka qenë zhgënjimi i atyre që qeverisën kaq keq për shumë gjatë, sa e madhe është nevoja për ndryshim dhe sa e lartë është përgjegjësia jonë sot dhe nesër këtu”.

“Le të mbetemi të palëkundur në rrugëtimin tonë, t’i qëndrojmë besnik synimeve dhe vlerave tona dhe le të mos kursejmë asgjë nga ne për të përmbushur programin tonë qeverisës, që përveçse zotimi i yni është pritshmëri e qytetarëve”, tha Kurti.