Kurti jep detaje përmes fotografive të ceremonisë lamtumirëse të ish-sekretares Madeleine Albright

Kryeministri Albin Kurti, bashkë me presidenten Vjosa Osmani, dhe ish presidenten Atifete Jahjaga, morën pjesë në ceremoninë e varrimit të ish-sekretares së Shtetit të SHBA-së, Madeleine Albright, në ambientin historik të Katedrales Kombëtare në Washington.

Përmes një komunikate, zyra e kyreminsitrit ka treguar se Kurti ka takuar zyrtarë e ish-zyrtarë të lartë të SHBA-së.

Po ashtu ka bashkangjitur fotografi të ceremonisë.

“Në kuadër të ceremonisë, Kryeministri dhe Presidentja patën rast të takoheshin me Sekretarin e Shtetit, Antony Blinken, ish-Presidentin e SHBA-së, Bill Clinton dhe bashkëshorten e tij, ish-Sekretaren e Shtetit, Hillary Clinton, ish-Zëvëndëspresidentin e SHBA-së, Albert Gore, ish-Sekretarët e Shtetit, Condoleezza Rice dhe  John Kerry dhe ish-kongresistin Eliot Engel”, thuhet në njoftim.

Ndërkaq, ish-presidenti amerikan, Bill Clinton, kujtoi udhëtimin e fundit me Albrightin në Kosovë, në 20-vjetorin e ndërhyrjes së NATO-s.

Ai tha se trashëgimia e Albrightit për kontributin në Kosovë, Bosnjë dhe shtete të tjera, vazhdon të nderohet.

“Kaluam një ditë të lumtur së bashku dy vjet më parë në Kosovë, 20 vjet pas konfliktit atje. I çliruam nga rreziku real i gjenocidit. Ecëm dorë për dore në rrugët e Prishtinës, në një ditë me diell të qershorit. Rrugëve kishin dalë çerek milion persona, që është numër i madh njerëzish në një shtet të vogël si Kosova”.

“Dhe arritëm te subjekti i shëtitjes sonë, që ishte një bust i bukur i Madeleine që ishte nderimi i tyre për ndihmën e saj. E shohim nderimin e trashëgimisë së saj për të gjitha gjërat që ka bërë për Kosovën, Bosnjë dhe e shohim në shumë mënyra”, tha Clinton.