Kurti dhe luani i tij servil, në kërkim të investimeve

Shkruan: Berat Buzhala

Në vend që afër vetes ta kishte Mërgimin, Ermalin, Gazin, Donjetën, Zanën, Darsejin, Valonin, etj., kryeministri Kurti shkoi në Luginën e Silikonit i armatosur vetëm me këshilltarët e tij servilë dhe pakurrizorë. Dhe pastaj pret investime.

Kryeministri Kurti është duke ladruar nga një cep i Amerikës në një cep tjetër, në kërkim të bizneseve që janë të interesuara për të investuar në vendin tonë. Në dukje të parë, nuk është aspak ide e keqe. Kosova, më shumë sesa për një ulëse në OKB, që gjithashtu është tepër e rëndësishme, po lëngon për vende të punës që do t’i bindnin të rinjtë ta vazhdojnë jetën në vendin e tyre, e jo, bie fjala, për pak lekë më tepër në Kroaci a Slloveni.

Është i pari kryeministër i Kosovës që i është futur gjysmës së kontinetit të Amerikës Veriore me një këso strategjie dhe me një vizitë kaq të gjatë. Ndoshta kaq gjatë nëpër vizita qëndronin vetëm burrat e shteteve në vitet e 80’ta dhe më herët. E mbaj në mend kur Radio Televizioni i Prishtinës i niste lajmet me informatën që “shoku Tito u nis për një vizitë 3 javore në Indi”. Me zhvillimet teknologjike të dy-tri dekadave të fundit, tendenca për të qëndruar gjatë në një vizitë shtetërore ka rënë. Por, nuk kemi pse ia prishim këtë herë kryeministrit Kurti. Ky edhe ashtu, vetë e ka pranuar disa herë, është pak old school. Dëshiron t’ia shohë bashkëbiseduesit mu pupilin e syrit, sepse, kështu ndoshta mendon, komunikimi është më i sinqertë.

“Ke të drejtë Shef”, ka mundësi që t’i ketë thënë Luan Dalipi, i cili po shihet me të, herë me setër e herë pa setër, “ti po artikulohesh shumë mirë live”.

E pra, njeriu, siç ka thënë edhe vetë Kurti, nuk niset për në Amerikë për dy-tri ditë. Minimumi tri javë. Mbledhjet e qeverisë i mbajmë online. Hmmmm. Ndoshta edhe këto takime, disa prej tyre, do të mund të mbaheshin online.

Kështu, Kristofor Kolombo i Kosovës, pasi kishte folur zi e terr për disa dekada për kapitalizmin e egër amerikan, tash është duke u iluminuar. Kur po guxhumitej rrugëve të Prishtinës me policinë, i dukej që Microsoft-i dhe koorporatat e tjera që i kanë të punësuar miliona njerëz po abuzojnë me fuqinë e tyre, kurse tash, kur i vizitoi ato në kampuse, kur i shtrëngoi duart me këta ‘kapitalistë neoliberalë’, botën po e sheh me syza të tjera. Po e sheh, le të themi, me syzat e një “dua-të-jem-kapitalist”-i. Dërdëllitjet e tij për djersën e punëtorit, për barazi, për paga minimale, për kushte më të mira në punë, paskan qenë mungesë e rastit për t’i takuar.

Nejse, le të themi që me t’u konfrontuar me realitetin, lideri ynë ndryshoi, anipse prej kohës kur deklaronte që Kosova nuk është në Meksikë por është në Evropë prandaj me Evropën duhet të jemi aleatë më të mëdhenj se me Amerikën, tybe nuk kanë kaluar as dy vjet, e as kontinentet nuk kanë lëvizuar prej pozicioneve. Të vetmet gjëra që kanë ndryshuar deri më tash janë fjalët e tij. “Amerika është aleati ynë kryesor”. Nuk jam i sigurt që edhe tash e ka sinqerisht. Më shumë po duket një oportunizëm momental.

Por le t’i kthehemi temës konkrete. Çka dreqin po bën Kurti atje? A është kjo një vizitë për ta shuar kuriozitetin personal, duke i vizituar këta mamuthë teknologjikë, a njëmend ky ka shkuar atje për të sjellë investime në vendin tonë. Ka shumë kohë që unë përpiqem me aq sa kam mundësi t’i ndjek vizitat e udhëheqësve të shteteve nëpër vende të botës, për të parë e krijuar një opinion personal se përse dikush shkon në Kinë për të qëndruar 1 javë – harrojeni, tri javë nuk qëndron askush më.

Herën e fundit kur ishte në Kinë, kancelarja e Gjermanisë e kishte mbushur avionin me biznismenë dhe CEO të fuqishëm. Industrialistët më të frikshëm të këtij shteti, bashkë me lideren e tyre, po shkonin në Kinë. Dikush për të lidhur një marrëveshje të re, dikush për t’u ankuar, e dikush tjetër vetëm për të parë ndonjë mundësi. Kemi parë qysh edhe Erdogan kur shkon në Serbi e mbush plot avionin me njerëz të biznesit. Dikush e hap një fabrikë, e dikush tjetër kërkon partner për ta hapur ndoshta një fabrikë në Turqi. Qe besa edhe Edi Rama, ndonëse mënyra e të bërit biznes ndryshon në Shqipëri, kur shkon diku pak më gjatë, i merr me vete oligarkët. Fundja, shteti në ekonominë e tregut të lirë nuk bën biznes. Shteti krijon kushte që të tjerët të bëjnë biznes. Shteti, në këtë rast pushteti, është ndërmjetësues dhe garantues që të tjerët të bëjnë biznes. Prandaj, kur Kurti shkon në Luginën e Silikonit, kur ai atje flet për resurset njerëzore që Kosova mund t’i ofrojë, përse ai nuk e ka asnjë resurs njerëzor, përveç Luan Dalipit?

Paramendojeni Kurtin në takime në Microsoft, Google, Apple, etj., etj., duke e pasur afër vetes Mërgim Cahanin, Gaz Selmanin, Ermal Sadikun, Driton Musollin, Bleron Baraliun, Uranik Begun, Arianit Fazliun, Donjeta Sahatqiun, Zana Tabakun, Valon Canhasin, Darsej Rizën, e dhjetëra e dhjetëra të tjerë. Vetëm atëherë do të dukej që ai e ka seriozisht punën e investimeve dhe lidhjeve të reja. Pa këtë kategori në ekipin e tij, ai dukej më shumë si një kurreshtar shqiptar, të cilit puna ia ka mundësuar që të takojë kompani të mëdha, më shumë sesa ai vërtet po e di se çfarë duhet të bëjë saktësisht.

A e di Kurti, ose luani i tij, Dalipi, që ne po jetojmë në një epokë ku qeveria nuk i sheh bizneset si rivalë, e as si armiq, por si komponentën më të rëndësishëm për zhvillimin e shoqërisë? Nëse po, qysh është e mundur që ai shoqërohet në takime me biznese private, vetëm më këshilltarët e tij?

Është e vërtetë që vizita e Kurtit përtej Atlantikut është më e gjata që një kryeministër shqiptar e ka bërë ndonjëherë, ndoshta që prej kohës së Enver Hoxhës në takimet e Partisë Komuniste në Moskë. Por ansjëherë kohëzgjatja e vizitës nuk ka qënë në proporcion të drejtë me suksesin e vizitës. Pesë minuta në Shtëpi të Bardhë do të kishin vlerë më të madhe se 5 mijë kilometra rrugë, nga një shtet në një shtet tjetër.

Sido që të jetë, duket që Kurti dhe stafi i tij nuk e kanë ndërmend të ndalen. Fatkeqësisht ata duket që po punojnë me plan. Me plan të gabuar, prandaj nuk dëshirojnë të ndryshojnë.