Kur gënjeshtra bëhet modë dhe metodë…

Enver Rrobelli Sërish një deputete e PDK-së kishte dalë para një mikrofoni dhe thoshte (domethënë, gënjente me vetëdije) se Kosova nuk ka bërë asgjë për katër ish-prijësit e UÇK-së në Hagë, ndërsa Shqipëria ka bërë gjithçka.
Kosova ka mundur të bëjë sigurisht më shumë, ndonëse edhe vetë një avokat i ish-presidentit Thaçi tha se nuk e dinte se çka ka mundur të bëjë Kosova më shumë. Por, mirë, mund të pajtohemi që Kosova është dashur të jetë më aktive në planin diplomatik dhe fusha të tjera.
Por të mohosh çdo kontribut të qytetarëve të Kosovës – sepse mjetet e ndara për t’u përballur me këtë proces nuk janë as të kësaj qeverie, as të ndonjë qeverie tjetër, por janë para të qytetarëve të Kosovës -, pra të mohosh çdo kontribut të qytetarëve të Kosovës në mbështetje të katër ish-luftëtarëve – kjo është fyerje e qytetarëve të Kosovës. Këtë mund ta bëjë vetëm një deputete pa pikë përgjegjësie publike.
Dhe kjo papërgjegjësi e dashakeqësi është bërë modë dhe metodë.
Edhe në vitin 2023 një fushatë e zhurmshme paramediale tentoi ta bindte opinionin se Edi Rama, me një fjalim para Këshillit të Europës, do ta bënte shkrumb e hi Raportin famëkeq të Këshillit të Europës, do ta hidhte në ajër Gjykatën Speciale dhe do t’i qortonte ashpër pizevengët perëndimorë që krijuan këtë monstrum juridik.
Edi Rama e mbajti fjalimin. U paralajmërua se Tirana do të shtynte një rezolutë në Këshillin e Europës mbi këtë çështje. A ka ndodhur diçka ndërkohë? E shkuar, e harruar. Madje, fjalimi mund të ketë dëmtuar ambiciet e Kosovës për hyrje në Këshillin e Europës. Por më 2023 Edi Rama keqpërdorej nga borizanë të ndryshëm për të plasuar akuzën se Kosova “nuk po bën asgjë”.
Është joetike që situata tepër e vështirë në të cilën ndodhen katër ish-pjesëtarët e UÇK-së të keqpërdoret për beteja politike brendakosovare. Nuk është çështje kjo që zgjidhet me muskuj e mallkime. Mund të lobohet në qarqe diplomatike, por gjasat janë të mëdha që çdo diplomat e politikan perëndimor të rrudhë supet e të thotë: “Nuk përzihemi në çështje të drejtësisë”.
Ndonëse në disa grupe lobimi në Prishtinë qe përhapur fjala se administrata e Donald Trumpit do të ndërhynte në zhbërjen e Gjykatës Speciale, kjo doli krejtësisht e pasaktë. Në këto grupe lobimi tepër gjatë i është besuar llafeve të Richard Grenellit, i cili do të hyjë në histori si llafazani më i madh i Washingtonit, të cilin atje s’e merr pothuaj askush seriozisht, ndërsa në Ballkan ka të tillë që ia shtrojnë qilimin e kuq. Sado brutale të tingëllojë, e vërteta duhet të thuhet: menjëherë pasi u lexua aktgjykimi në Hagë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit njoftoi se ky është qëndrimi amerikan: “Ne e respektojmë aktgjykimin e sotëm të Dhomave të Specializuara të Kosovës”.
Ka zëra që thonë: të mblidhet parlamenti e ta shpërbëjë Gjykatën Speciale? Këtë as PDK nuk po e thotë ndërkohë, sepse si parti që ka qenë pjesë e shumë proceseve delikate shtetformuese e di që kjo bart rreziqe të paparashikueshme jo vetëm për Kosovën, por para së gjithash për të burgosurit në Hagë.
Mbetet përqendrimi në betejën e apelit. Por kjo nuk mund të bëhet pa një dakordim mes partive politike mbi planin e veprimit. Nuk bëhet pa ulje të tensioneve. Pa koordinim ndërpartiak. Pa një strategji të qartë e të përbashkët. Pa angazhim edhe të ekspertëve më të mirë vendorë e ndërkombëtarë. Pa ndarje edhe të një transhe të re mjetesh financiare. Pa heqjen dorë nga akuzat bizare ndaj njëri-tjetrit. Pa lojëra cinike në kurriz të të tjerëve.
Klasa politike e Kosovës ka shumë punë para vetes. Përvojat e deritanishme me këtë klasë politike nuk japin arsye për të qenë shumë optimist. Dhe kjo është arsye për dëshpërim.

*Opinion i postuar ne facebook, i analistit te mirenjohur z.Enver Rrobelli