Kumanova nuk lejon më të kthehen skenaristët e përgjakshëm

Shkruan: Hadi Osmani

Është e vërtetë se në qeverisjen 3 vjeçare të LSDM-së nuk u zbardhën të gjitha rastet e montuara dhe të përgjakshme si ndaj shqiptarëve ashtu edhe ndaj qytetarëve në përgjithësi, por nuk harojmë kurrë autorët e këtyre skenarëve e as miqt e tyre që vazhdojnë rrugën e njëjtë politike. Kumanova nuk do të lejojë kthimin e VMRO-DPMNE-së në pushtet përderisa udhëheqësia e kësaj partie është në një linjë me me ata që montuan procese kundër qytetarëve përfshirë edhe skenarin e Kumanovës duke rrezikuar një luftë qytetare ku do të pësonim të gjithë. LSDM nuk i zbardhi të gjitha rastet dhe këtu ka vend për kritikë, por ne të gjithë i kemi parasyshë dy fakte të rëndësishme. E para LSDM filloi me zbardhjen e rasteve duke filluar nga Sopoti që kishte ndodhur në qeverisjen e LSDM-së. Po të mos kishte pasur interesim për drejtësi më së paku në këtë rast do të prekte dikush. Pas kësaj, gjatë qeverisjes së LSDM-së filloi rigjykimi i rastit “Monstra” dhe të paraburgosurit u lanë të lirë deri në zbardhjen e plotë të rastit. Edhe shumë qytetarë nga bashkësitë e tjera etnike u liruan nga padrejtësitë dhe skenaret që ishin thurur në qeverisjen e VMRO-DPMNE-së. Fakti i dytë që s’mund të injorohet është kapja e gjyqsorit që ka nevojë për pastrim të plotë e që të gjjthë e dijmë se është një proces për të cilin nevojitet kohë, ndërsa në LSDM ka vullnet për këtë proces. Por vonesat në drejtësi jo vetëm që nuk mund të fajsojnë LSDM-në, por aq më pak mund ti barazohen me autorët e padrejtësive dhe skenareve të përgjakshme. Qytetarët në përgjithësi dhe shqiptarët në veçanti mund të kenë kritika dhe debate me LSDM-në, por asnjëherë nuk do t’ja falin VMRO-DPMNE-së krimet e 10 viteve dhe as nuk do të lejojnë që ato të përsëriten. Shqiptarët dhe të gjithë qytetarët e Kumanovës nuk do të lejojnë më të jetojnë nën frikën dhe tmerrin që ua shkaktoi kjo parti për 10 vite. Ne gjithmonë mund të diskutojmë e debatojmë për më shumë drejtësi dhe jetë më të mirë, por asnjëherë nuk duhet të lejojmë që të kthehen kohërat kur dita na bëhej terr.