Ismet Latifi, banor i Kumanovës për Portalb.mk, tha se shoferët në Kumanovë vazhdimisht kanë probleme me gjetjen e parkingut, ndërsa ky problem shtohet edhe më shumë me ardhjen e verës, pasi edhe mërgimtarët kthehen nga diaspora.
“Institucionet duhet të gjejnë një zgjidhje sa më shpejtë dhe të krijojnë më shumë vende parkimi, pasi kaosi urban është bërë përditshmëri në qytet”, theksoi Latifi.
Përveç parkingjeve publike, në qytet ka dhe parkingje private, por të njëjtat përsëri nuk janë të mjaftueshme për ta përballuar fluksin e lartë të veturave dhe për të përmbushur kërkesat e qytetarëve.
Nga ana tjetër, autoritetet shtetërore arsyetohen se janë duke punuar në përpilimin e projekteve për ndërtimin e parkingjeve të reja në qytet.
Drejtori i NP “Kumanova Parking”, Andreja Maxhovski, për Portalb.mk deklaroi se duke pasur parasysh nevojën e qytetit për vend-parkime të reja, bashkë me Komunën e Kumanovës është duke u planifikuar ndërtimi i vend-parkimve të reja si në qendër të qytetit ashtu edhe në periferi.
“Për momentin janë duke u përgatitur projekte të reja për ndërtimin e hapësirave të reja për parkim dhe shtimin e kapaciteteve të vend-parikimeve. Derisa për momentin në menaxhim të NP Kumanova Parking kemi rreth 560 vend-parkime. Ne e dimë se me afrimin e sezonit të verës dhe ardhjen e diasporës në vendin tonë, shtohen veturat dhe kërkesa për parking rritet, për të anashkaluar sadopak tollovinë në qytet ne kemi vendosur ta lehtësojmë mënyrën e pagesës së parkingut dhe me vendosjen e tabela të reja kemi vendosur QR code përmes së cilave mund të kryhet mënyra e pagesës së parkingut”, tha Maxhovski.
Kujtojmë se numri minimal i vend-parkimeve për ndërtesat e amvisërive dhe ndërtesave të administratës shtetërore, rregullohet përmes Rregullores mbi standardet dhe normat për planifikimin urban. Sipas kësaj rregullore, parashikohet se për çdo amvisëri të ketë një vend-parkimi. Ndërsa sa i përket administratës shtetërore, parashikohet që për çdo pesë të punësuar të ketë një vend parkimi. Sipas kësaj rregullore, Kumanova funksionon me më pak se gjysmën e kapacitetit të vend-parkimeve të kërkuara për qarkullim normal të komunikacionit.
Ndryshe, Kumanova përballet edhe me “deponi” të veturave të vjetra që ndodhen në hapësirat prapa objektit të Gjykatës Themelore pranë Stacionit Policor në Kumanovë, të cilat ende nuk janë larguar, pavarësisht se vitin e kaluar nga Inspektorati Komunal u zotuan se do ta pastrojnë atë hapsirë nga veturat e braktisura.
Më 23 tetor 2025 Komuna e Kumanovës ofroi largimin falas të automjeteve të dëmtuara. Fillimisht, periudha promocionale nga 25 tetori deri më 28 nëntor 2024 synonte të ofronte shërbimin pa pagesë, por sipas ‘Kumanovo-Parking’, interesimi ishte i ulët.



