Kufijtë e konfrontimit politik në Kosovë

Shkruan: Augustin Palokaj

Para disa vjetësh konflikti politik në Shqipëri kishte degraduar aq shumë, saqë u desh të ndërhynte Parlamenti Evropian në përpjekje për të ulur tensionet dhe për të parandaluar që ky konflikt politik të mos shndërrohej dhe në luftë civile. Kishin ftuar delegacionin e PD-së, kryetar i së cilës ishte Sali Berisha (e kush tjetër?), ndërsa i PS-së ishte Fatos Nano. Por pasi edhe mediat në Shqipëri ishin të ndara në dysh, edhe ato e panë këtë përpjekje të Parlamentit Evropian si rast për ta shfrytëzuar për konflikt të ri. Disa e quajtën këtë takim si “beteja e Brukselit”. Kinse aty do të zhvillohej një debat me argumente, debat me “standarde evropiane” i cili “nuk është i mundur në Shqipëri”. Por edhe ajo përpjekje dështoi keq. Mbeti njollë për Shqipërinë e jo vetëm një rast i humbur. Në mëngjesin e ditës kur duhej të zhvillohej debati, disa persona kishin ardhur në hotelin ku ndodhej delegacioni i Qeverisë. Thuhej se kërkonin Fatos Nanon, në atë kohë kryeministër, për të qëruar hesapet me të. Por kur nisën të bërtisnin në lobin e hotelit, u doli përpara ministri i atëhershëm i Integrimeve Evropiane, Paskal Milo. Me tonin dhe mirësjelljen e profesorit tentoi t’i qetësonte duke u thënë “mosni çuna” se nuk na ka hije të bëjmë gjëra të tilla këtu. “Konfliktet tona t’i mbajmë në shtëpi e jo të grindemi këtu në kryeqytetin e Evropës”. Dhe ata e goditën ministrin Milo duke i shkaktuar lëndime në fytyrë. Ndërhyri edhe policia e Belgjikës. I tërë debati në Parlament ishte rreth atij konfrontimi me grushte. Nga Sali Berisha kërkohej që, para se të thoshte diçka tjetër, të kërkonte falje dhe ta dënonte dhunën ndaj kundërshtarit të tij politik. Sa i përket debatit, disa deputetë që ishin bërë gati ta kritikonin Shqipërinë hoqën dorë. Sepse askush, as kundërshtarët dhe kritikët më të mëdhenj nuk do të mund të gjenin në fjalorin e tyre fjalë më të rënda për Shqipërinë sesa që kishin përfaqësuesit e opozitës. Dhe kjo sjellje e politikanëve të Shqipërisë ka vazhduar deri në ditët e sotme. Kushdo që është në opozitë bën lobim edhe kundër interesave të shtetit të tyre. PS-ja kur ishte në opozitë kishte disa pjesëtarë që nëpër Evropë bënin thirrje që për Shqipërinë të mos liberalizoheshin vizat. Sepse mendonin se kjo do t’i shkonte shumë në favor PD-së që ishte në pushtet. Edhe politikanë udhëheqës të PD-së në grupimin e Partive Popullore Evropiane bënin lobim kundër dhënies së statusit të kandidatit Shqipërisë, e pastaj dhe kundër nisjes së negociatave. U thoshin, sipas burimeve nga ky grupim, se “me këtë do ta shpërbleni Qeverinë dhe do të na jepni neve një grusht të rëndë”.

Pse përmendim Shqipërinë në këtë rast. Sepse gjithë atë kohë dëgjonim në Kosovë, sidomos nga politikanët, por edhe të tjerët, se “si nuk ju vjen turp këtyre nga Shqipëria”. “Si mund të jenë aq negativë për vendin e tyre” dhe se si “Në Kosovë, përkundër konkurrencës dhe garës politike, ka një mirësjellje dhe nuk janë të tillë kur dalin jashtë”.

nga Shqipëria dëgjojmë shprehje të keqardhjes për imazhin e Kosovës. Sepse nuk ka ku të shkojë më keq imazhi i një shteti, i një shoqërie dhe i një skene politike sesa kur të jesh kryelajm në Evropë për shkak të shkëmbimit të grushteve në Kuvend nga përfaqësuesit e zgjedhur të popullit. E grushtet në politikë përdoren kur më nuk ka argumente politike. Pak ka dobi Kosova nga shkëmbimi i akuzave se kush ia nisi i pari, kush e ka fajin, kush u mbrojt e kush sulmoi. Nuk është arsyetim i duhur as fakti se gjëra të tilla kanë ndodhur edhe në vendet e tjera. Kjo skenë është e dëmshme dhe e rrezikshme për Kosovën. Sepse krijon agresivitet në debate në media, në debate në rrjete sociale e mund të krijojë agresivitet që mund të çojë deri te konflikti edhe në rrugë. Të mos flasim për dëmin politik që i bëhet Kosovës në këtë periudhë shumë, shumë të vështirë. Edhe po të mos kishte ndodhur incidenti i grushtimeve në Kuvend, debati politik në Kosovë kishte degraduar. Epitetet më të shpeshta që dëgjoheshin ishin “hajna”, “kriminelë” dhe “tradhtarë”. Akuza për “antiamerikanizëm” dhe “antievropianizëm”. Po t’i besohet njërës apo palës tjetër i bie se Kosova sot ka një skenë politike plot “tradhtarë, hajna, kriminelë, të korruptuar dhe shërbëtorë të Serbisë”. Kjo e ka ngushtuar hapësirën për një polemikë racionale. Dhe këtu nuk ka më mundësi për të fajësuar njërën palë e amnistuar tjetrën. Për vendime politike dhe për situatë ekonomike gjithmonë përgjegjësia bie mbi ata që janë në pushtet e jo mbi opozitën. Por për mbajtjen e një standardi të duhur demokratik roli dhe sjellja e opozitës janë po ashtu vitale.

Politika është polemikë, është betejë, është edhe konfrontim, por ekzistojnë kufijtë. E kufijtë u tejkaluan në Kosovë javën e shkuar.

Vetëvendosje prej kur ka ardhur në pushtet po e mëson leksionin se, duke qenë gjatë në opozitë dhe duke kritikuar pushtetin, duhet të jesh më i bardhë se bora kur je duke qeverisur dhe e ke fuqinë e shumicës në Kuvend. Sepse pushteti sjell edhe përgjegjësi. E Kosova po e kupton se skena e saj politike po degradon dhe jo vetëm se po i ngjan, por edhe po e tejkalon atë të Shqipërisë.