Kuba planifikon nga fillimi i vitit të ardhshëm të heq njërën prej dy valutave, informoi dje në televizionin shtetëror presidenti i këtij shteti të Karaibeve, Miguel Dijaz-Kanel, transmeton DPA.
“Nga 1 janari, vetëm një monedhë do të jetë në qarkullim – peso,” njoftoi presidenti, duke shtuar se bashkimi i monedhës do të krijonte kushte më të mira për garantimin e mundësive të barabarta dhe drejtësisë sociale për të gjithë qytetarët kubanë, transmeton Alsat.
Kursi i këmbimit do të jetë 24 pesos me një dollar amerikan.
Shteti socialist ka një sistem të monedhës së dyfishtë që nga viti 1994. Përveç monedhës zyrtare kombëtare, pesot e konvertueshme përdoren në transaksionet e pagesave, kryesisht nga turistë të huaj, dhe vlera e tyre është përafërsisht ekuivalente me dollarin amerikan.
Kuba që nga korriku ka larguar taksën prej 10 përqind për blerjet e dollarit, e cila kishte qenë në fuqi që nga viti 2004, për shkak të mungesës së të ardhurave nga turizmi gjatë pandemisë së koronavirusit. Që atëherë, disa produkte në disa dyqane mund të paguhen përmes kartelës me valutë amerikane, shton DPA.