Ku është “fshehur” Ali Ahmeti?

Shkruan: Albion Memeti

Janë bërë gati një muaj e gjysëm që nga paraqitja e fundit publike e liderit të BDI-së, Ali Ahmeti. Ahmeti, njëri ndër politikanët më aktiv në 20 vitet e fundit në skenën politike në Maqedoni, muajve të fundit disi është tërhequr nga paraqitjet e tij.

Më 11 mars me rastin e përkujtimit të demonstratave të vitit 1981 në Kosovë, është hera e fundit kur Ahmeti është parë në publik. Në përjashtim të urimeve nëpër rrjetet sociale për festat fetare dhe zgjedhjen e qeverisë së re të Kosovës, prej asaj dite Ali Ahmeti nuk ka bërë ndonjë prononcim.

Mosprezenca e tij në Kuvend u vërejt edhe në seancën problematike për të votuar pakon e 5-të ekonomike, kur dy deputetë të infektuar me Covid-19 erdhën në Parlament për të votuar.

Përderisa akuzat e opozitës ndaj qeverisë aktuale ku bënë pjesë edhe vetë partia e Ahmetit vazhdojnë për çdo ditë, ai nuk e ka parë të arsyeshme për të reaguar. Shtyrja e regjistrimit, keqmenaxhimi i krizës me koronavirusin dhe problemi i qytetarëve pa shtetësi janë vetëm disa nga akuzat që së fundmi, opozita shqiptare i adreson partisë së drejtuar nga Ali Ahmeti.

Përveç Ahmetit është vërejtur se edhe bashkëpartiakët e tij, të cilët më herët ishin shumë të zëshëm në përplasjet me opozitën por edhe me bashkëparitakët e tyre, kohës fundit ndjehen të rezervuar në paraqitje. Nuk dihet nëse kjo heshtje e liderit “integrist” është ndonjë taktizim i tij dhe i partisë që drejton apo ka të bëjë me paralajmërimet se edhe Ahmeti do të thirret në Hagë.

Por ajo që habit është se kaq të heshtur dhe të distancuar nuk jemi mësuar më herët ta shohim Ahmetin.