Kthimi te Lufta e Parë Botërore

Shkruan: Blerim Shala

Çka është graviteti në natyrë, siguria është në shoqërinë njerëzore.

Ne jetojmë me gravitetin gjithmonë dhe rrallëherë e kuptojmë se çfarë rëndësie ka ky për të mbajtur njeriun në Tokë, dhe për të mundësuar funksionimin e tij dhe të gjitha dukurive të tjera që lidhen me te  (me njeriun). Pastaj, për fatin tonë të mirë, nuk mund t’i ikim asnjëherë gravitetit, nuk mund të mos llogarisim këtë faktor natyror dhe çka është më e rëndësishmja, nuk mund ta ndryshojmë atë, për ta përdorur mungesën e tij  (eventuale) në dobinë tonë dhe në dëmin e njerëzve të tjerë.

Mund të merret me mend, ta zëmë, si do të zhvilloheshin luftërat, nëse njëra palë do të mund ta zhdukte, qoftë edhe përkohësisht, gravitetin nga territori i palës tjetër.

Megjithatë, dihet që diçka e tillë nuk është e mundur. Së paku në rrethanat e tanishme.

Siç u tha tashmë, pesha e gravitetit në natyrë është po e njëjta si ajo e sigurisë për organizimin e shoqërisë dhe politikës njerëzore.

Por teksa ligjet e natyrës i imponohen njeriut dhe ai nuk mund të mos i përshtatet atyre, kur bëhet fjalë për shoqërinë dhe për politikën, ligjet i bën vet njeriu dhe ato rëndom nuk pranohen me vullnet apo me dëshirë të madhe.

Gjendja e parë për shoqërinë njerëzore, siç dihet tashmë prej gjithë historisë së njohur, është pasiguria.

Ajo kërcënon gjithçka: Jetën e njeriut, organizimin familjar, qenien kolektive.

Pasiguria është burimi parësor i konflikteve dhe luftërave.

Organizimi i shoqërisë dhe politikës në një bashkësi njerëzore, duhet të garantojë fuqinë e sigurisë dhe të stabilitetit në këtë shoqëri. Por, siguria është realisht gjendje artificiale njerëzore, për dallim prej gravitetit që është gjendje natyrore.

Siguria humbet dhe fitohet. Dhe ky proces nuk ka të ndalur. Nuk mund dot të mbërrihet në një gjendje ideale njerëzore ku askush nuk do ta cenojë jetën dhe sigurinë e tjetrit, dhe ku të gjithë do të jetojnë në një harmoni dhe paqe.

Diçka e tillë nuk është e mundur. As tash dhe asnjëherë.

Ligjet e fizikës mund t’i ndryshojmë, por jo vetveten, si njerëz, së paku në këtë aspektin themelor të secilit prej nesh.

Sidoqoftë, pasiguria është e papërballueshme për njeriun dhe shoqërinë e tij.

Për këtë shkak, ai synon që aq sa është e mundur të zgjerojë atë hapësirën ku siguria është stabile (aq sa është e mundur). Këtë e ka bërë duke krijuar vendbanimet e rrethuara me kështjellë, pastaj, duke u zgjeruar në rajone, më në fund, duke e krijuar edhe shtetin, kufijtë e të të cilit duhet të mbrohen  (gjithsesi). Më në fund, pas luftërave botërore  (të parës dhe të dytës), siguria ndërkombëtare synohej të krijohej dhe të mbrohej me organizatat ndërkombëtare  (Lidhja e Kombeve dhe më pas OKB-ja).

Baraspesha e frikës nga një luftë e re  (kësaj radhe, bërthamore), me pretendime shfarosëse, mbajti në fuqi një Rend dhe një siguri ndërkombëtare, teksa në margjinat e saj vazhdonin luftërat të cilat mbeteshin të izoluara, pa potencial për ta rrezikuar këtë Rend ndërkombëtar.

Edhe në rrethanat e tanishme ndërkombëtare, me ngjarjet e njohura për të gjithë ne në Lindjen e Mesme dhe në Evropën lindore, frika nga një pasiguri planetare e cila do të mund të shpinte në luftëra rajonale dhe pastaj edhe më gjerë, (për të rrezikuar gjithçka dhe të çdokush), është e vetmja ‘siguresë’ politike që ende është në fuqi, duke e mbajtur atë ‘gravitetin’ politik në Botë.

Por më nuk ka Rend ndërkombëtar i cili do të mund të ndihmonte në mënyrë thelbësore (siç ka qenë gjatë Luftës së Ftohtë), në rast që do të zhbëhej a prishej kjo ‘siguresë’.

Gjithçka është e mundur në rrethanat e tanishme në Botë.

Për këtë shkak zaten, njohësit e historisë së re të njerëzimit, kanë alarmuar elitat politike në shtetet më të fuqishme në Botë që mund të tërhiqet një paralele midis rrjedhës së ngjarjeve në dy vitet e fundit me ato të cilat i paraprinë shpërthimit të Luftës së parë botërore, në vitin 1914.

Teksa në fakt, në Ukrainë, në Palestinë, në Ballkan  (tek e fundit), ne ende i vuajmë pasojat e Luftës së parë botërore.