Shkruan: Migjen Kelmendi
Çka ka të re? Ndërrimi i politikave për rajonin dhe ripërcaktimi i prioriteteve të reja nga ana e Washingtonit dhe Brukselit. Sot fokusi asht n’Beograd, dhe protagonisti asht Vučić.
Këte detyrë, aspak të lehtë, ja ngarkojnë nji diplomati të rryem, zotit Christopher Hill. Edhe pse i pensionuem, e ftojnë dhe ja japin ingerencat e plota në këte mision. Zoti Hill ka qenë gjithmonë i afërt me autoritetet n’Beograd. Në Konferencën e Rambouillet, ai shprehej kundër intervenimit ushtarak ndaj Serbisë, dhe propagonte nji autonomi të Kosovës mbrenda Serbie.
Lufta n’Ukrainë vetëmsa i akceleroi këto politika e prioritete të reja, që si finale patën – kthimin e Serbisë si fuqi rajonale. Sot Serbia perceptohet si partnere e shteteve perendimore, lidere e rajonit, kandidate per anëtarësim n’UE dhe NATO. Mirëpo, ky rikonfigurim i forcave politike në rajon, ku Serbia duhet me qenë në qendër, ku Serbia asht prioriteti i qeverive perendimore, kërkonte edhe qeveri e protagonista të ri politik në shtetet e rajonit.
Pajtimi dhe komplementariteti i Beogradit me këto politika e prioritete perendimore nuk ishte pa kushte. Kthimi i influencës së Serbisë në rajon, si para intervenimit të NATOs, dhe roli i ri i saj si lidere politike dhe ekonomike e rajonit, kërkoi shembjen e tri qeverive në rajon. Influenca e Serbisë ishte e cungueme dhe e pengueme me shpalljen e Pamvarësisë së Kosovës, me qeveritë sovraniste në Podgoricë dhe në Shkup, andaj kjo situatë duhej ndryshue. Protagonistat e shembjes së pengesave në mënyrë që Serbia me e rikthye influencën dhe rolin e saj në rajon, në dritën e prioriteteve të reja perendimore, ishin Edi Rama, Dritan Abazoviq, Albin Kurti dhe Hristian Mickoski.
Mbrenda këtyne ndryshimeve, duhet me e pa dhe kuptue edhe Gjykatën Speciale, si kusht i paevitueshëm i Beogradit, që reprezentuesit e luftës në Kosovë, suksesin e të cilëve Beogradi gjithmonë e ka përjetue si ofendim, medoemos me u gjykue dhe me u largue nga skena politike e Kosovës.