Presidenca gjermane me BE-në të mërkurën (pasnesër) do të bëjë tentimin e fundit për miratimin e konkulzave për zgjerim të BE-së, duke përfshirë edhe Maqedoninë e Veriut, njoftoi korrespondentja e MIA-s nga Brukseli.
Siç kanë konfirmuar nga Këshilli i BE-së të mërkurën do të realizojë takim të ri ambasadorësh në të cilin në rend dite do të jenë konkluzat për zgjerim, që u hoqën javën e kaluar për shkak të bllokadës së Bullgarisë për negociatat me Maqedoninë e Veriut.
Diskutimi për zgjerimin tërësisht u largua nga rendi i ditës, për shkak të mospajtimeve mes vendeve të BE-së, veçanërisht për shkak të qëndrimit të Sofjes se nuk mund të mbahet takimi i parë ndërqeveritar për negociata qasëse me Maqedoninë e Veriut pa zgjidhjen e çështjeve bilaterale.
Gjatë kësaj jave presidenca gjermane rikthen konkluzat për zgjerim në rend dite. Këtu bën pjesë edhe Shqipëria, bashkë me Maqedoninë e Veriut.
Nuk është e qartë në këtë moment se çfarë kompromisi do të propozojë presidenca gjermane. Është e qartë se përgatiten konkluza të reja, por ato nuk janë të publikuara.
“Informacioni kryesor që qarkullon tani dy javë në qarqet diplomatike në Bruksel është se kërkohet kompromis rreth formulimit për “interpretimin e gabuar të historisë”, raporton MIA.
Deri sa kryesia e BE-së vlerëson se kjo fjali duhet të vendoset në hyrjen për të gjitha vendet e rajonit, Sofja, sipas burimeve diplomatike, dëshiron që ajo të përfshihet në mënyrë specifike për Maqedoninë e Veriut, duke u bazuar në konkluza të mëhershme nga viti 2018, kur u miratuan marrëveshjet për fqinjësi të mirë me Greqinë dhe Bullgarinë.
Tani mbetet të shihet se çfarë kompromisi propozon kryesimi gjerman. Projekt konkluzat e fundit poashtu thonë se konferenca e parë ndërqeveritare duhet të realizohet “sa më shpejtë që është e mundur” me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, por për Shqipërinë me kushte plotësuese.
Disa vende të BE-së insistojnë të ndahen nga Shkupi dhe Tirana, nëse nuk mund të tejkalohet bllokada bullgare, dhe të jepet së paku dritë formale jeshile për Shqipërinë.



