Kryesia e ngushtë e LDK’së mbanë mbledhje, zëdhënësi s’di gjë

Pas pak minutash kryesia e ngushtë e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe disa kryetarë të degës do të mblidhen në zyret e partisë. Ata pritet që të diskutojnë për marrëveshjen e mundshme me Lëvizjen Vetëvendosje si dhe seancën e 3 shkurtit.

Këtë e ka konfirmuar për Express, njëri nga nënkryetarët e LDK’së.

Pos se çka po ndodhë me këtë parti nuk e di zëdhënësi i saj, Besian Mustafa Ai ka thënë për Telegrafin se nuk di asgjë për një takim të tillë.

“Jo nuk është vërtetë, nuk kemi mbledhje”, ka thënë Mustafa për Telegrafin.

Ndryshe, dje nënkryetari i kësaj partie, Lutfi Haziri pas takimit të kryesisë së LDK-së për mediat ka thënë se gjatë këtyre dy ditëve do të ketë takime midis dy partive dhe se ka ende gjasë për koalicion me VV-në.

Problemi kyç mes dy partive po vazhdon të jetë posti i krye parlamentarit i cili ushtrohet tani nga Glauk Konjufca i zgjedhur më 26 dhjetor.

Ndërkohë, kanë kaluar 118 ditë prej kur u mbajtën zgjedhjet dhe Vetëvendosje doli fituese. Më shumë se një muaj kanë kaluar prej se është votuar Kryetari i Kuvendit dhe është hapur mundësia e votimit për Qeverinë e Kosovës.

Dy liderët e partive, VV-së dhe LDK-së kanë ndërprerë takimet për më shumë se një javë dhe komunikimin e vetëm publik e kanë bërë me shkëmbimin e dy letrave të cilat përmbajnë ofertat e njëra tjetrës se si të formohet qeveria.

Deri më tash VV dhe LDK kanë dështuar ta arrijnë marrëveshje shkaku i mospajtimeve për të ndarë pozitat shtetërore. Tash janë bllokuar te pozita e Kryetarit të Kuvendit që e ka marrë Vetëvendosje në seancën e 26 dhjetorit.

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lidhja Demokratike kanë dështuar të arrijnë marrëveshje edhe më shumë se tre muaj prej se kanë përfunduar zgjedhjet. Madje, s’janë pajtuar për ndarjen e pozitave as pas votimit të Kryetarit të Kuvendit në fund të vitit të kaluar. Prej gjashtë muajsh, Kosova vazhdon të funksionojë me Qeveri në dorëheqje.

Albin Kurti dhe Isa Mustafa ishin takuar një ditë pasi kishin përfunduar zgjedhjet e 6 tetorit. Kishin thënë se koalicioni do të arrihej më së largu 72 orë pasi të certifikoheshin zgjedhjet. Tash, kur më 26 dhjetor është votuar Kryetari i Parlamentit, Vetëvendosje po refuzon të kthehet prapa dhe të shkarkojë ose detyrojë të japë dorëheqje njeriun që i kishte qëndruar Kurtit afër edhe kur pjesa më e madhe e njerëzve të partisë ia kthyen shpinën.

Kurti ka thënë se Glauk Konjufca s’është Kadri Veseli për ta shkarkuar kur dy liderë partish merren vesh./Express/