Kryeparlamentari turk në Shkup: Ndjehem si në shtëpi

Në ditën e Mësimit të Gjuhës Turke, më 21 Dhjetor, kryetari i Kuvendit të Republikës së Turqisë, Mustafa Shentop, nuk ngurroi të thotë se po ndihet si në shtëpinë e tij, pasi që sipas tij gjuha është si shtëpia, e cila e ndërlidhë mendjen dhe shpirtin. Ai një ashtu theksoi se gjuha nuk njeh pozicione gjeografike për personat që flasin të njëjtën gjuhë. Kreu i Parlamentit të Turqisë shprehi falënderime ndaj autorëve që falë tyre edhe në Maqedoninë e Veriut qytetarët turq mund ta mësojnë gjuhën e nënës.

Mustafa Shentop, Kryetar i Kuvendit të Republikës së Turqisë

”Në qoftë se nuk do të ishte gjuha dhe autorët tonë, ne si komb nuk mund të ekzistonim në ditët e sotme, do të ishim të harruar dhe do të ishim ndarë si shumë popuj në të kaluarën, kështu që gjuha është elementi që na bashkon”.

Ndërsa, kryetari i parlamentit të Republikës të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi shprehu falënderimet për bashkëpunimin e kamotshëm të Turqisë për çdo segment. Ai gjithashtu theksoi se partneriteti me Turqinë është zgjeruar me anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut ne NATO, dhe se së bashku do të kontribujnë për ndërtimin e paqes dhe mirëqenies në botë.

Talat Xhaferi, kryeparlamentar i Maqedonisë së Veriut

“Dora e shtruar e popullit turk prek gjithmonë zemrat tona. Këtë e bën edhe në këtë kohë të vështirë të pandemisë globale kur njerëzimi është drejtuar para rrezikut global shëndetësor dhe ekonomik. Jemi mirënjohës për prezencën tuaj, bashkëpunimin, mbështetjen dhe ndihmën në çdo segment të qëndrueshmërisë sonë si shtet”

Numri një i Kuvendit të Republikës së Turqisë tha se fqinjësia është vlerë e lartë e nivelit botëror, ndërsa Turqia kujdeset që të promovojë në vazhdimësi këto vlera. /SHENJA/