Kryeparlamentari Afrim Gashi ka bërë të ditur se në Bern kanë nisur aktivitetet në kuadër të programit “Diskutimet Malore për Etikën Parlamentare”, ku fokusi kryesor është forcimi i integritetit parlamentar dhe besimit të qytetarëve në institucionet demokratike.
Gashi theksoi se gjatë fjalimit të tij ka vënë në pah rëndësinë e gatishmërisë dhe vullnetit politik për arritjen e konsensusit rreth çështjeve që lidhen me etikën parlamentare.
“E theksova rëndësinë e gatishmërisë dhe vullnetit politik për të arritur konsensus rreth kësaj teme të rëndësishme për Kuvendin dhe për besimin e qytetarëve në institucionet demokratike”, deklaroi Gashi.
Ai u shpreh optimist se përmes këtij procesi do të promovohen vlerat demokratike në funksion të integritetit parlamentar dhe përgjegjësisë publike.
“Shpreha optimizmin që përmes këtij procesi të reflektojmë mbi vlerat demokratike në funksion të integritetit parlamentar dhe përgjegjësisë publike”, tha kryeparlamentari.
Sipas tij, diskutimet për Kodin Etik do të vazhdojnë edhe në ditët në vijim, ndërsa falënderoi partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen në këtë proces, përfshirë Ambasadën e Zvicrës dhe NDI-në.



