Kryeministri teknik, zhgënjim i radhës!!!

Shkruan: Numan Sallai

Kah fundi i janarit, me siguri do të kemi veç të formuar të ashtuquajturën qeveri teknike, 100 ditëshe, sepse tani është e qartë, ka një dakordësi të heshtur midis pushtetit dhe opozitës, që zgjedhet e ardhshme parlamentare dhe presidenciale, të mbahen nga fundi i prillit dhe fillimi i majit 2024. Qeveria parazgjedhore, sipas Marrëveshjes së Përzhinos dhe dakordimit të partive në pushtet, kryeministrin për herë të parë do ta ketë shqiptar. Duhej të ishte një hap përpara në marrëdhëniet politiko-shtetërore të shoqërisë multietnike. Kjo nuk mund të mohohet dhe mbase duhet përshëndetur. Po, shqiptar sipas kombësisë, por sa mund të jetë shqiptare “frymarje” tij!?

Është një çështje që fare nuk duhet diskutuar, duke u bazuar në funksionimin e qeverive të mëhershme. Anise politika do të trumpetojë zëshëm për arritjen e madhe të politikës shqiptare. Emrat (Fatmir, Agron, Hasan, Hisen…) të pjesëtarëve të bashkësive etnike tjera në funksionet publike nuk kanë sjellë dhe nuk sjellin ndonjë përparim në barazinë qytetare dhe nacionale. Sepse, ata janë të detyruar të “lundrojnë” në politikën unitariste. “De facto” shoqëria multietnike e këtij shteti asnjëherë nuk është pasqyruar në politikën shtetërore. Ajo pandëprerë ka frymuar me frymën e kombit maqedonas, e jo me frymën e Maqedonisë së Veriut, si shtet i shumë bashkësive etnike.

Nga ky aspekt, dhe roli i kryeministrit teknik është formalo-teknik, dhe, pa ndonjë peshë të veçantë politike.Veçse , mbase plotëson vetëm një folklor politiko-nacional të të ashtuquajturës politikëbërje shqiptare.

Për më tepër, shqiptarët e Maqedonisë së Veriut gjatë tri dekakave të fundit kanë pasur numër të konsiderueshëm të njerëzve që kanë ushtruar funksione publike, por nuk kanë pasur përfaqësues të njëmend që do ta prezentojnë interesin real të shqiptarëve. Barazinë, drejtësinë,sigurinë… nuk e sjellin emrat etnik të funksionarëve, atë e sjellë sistemi i mirëfillt shtetërorë. Ndërsa, atë mund ta vendosin dhe sjellin vetëm njerëzit me parime të njëmendta të përfaqësimit. Ata që marrjen e pushtetin e shohin si shans për vjedhur diçka nga prona shoqërore, asnjëherë nuk mund të ndërtojnë sistem të shëndoshë dhe të drejtë njerëzor. Prandaj, kryeqeverisja disa mujore shqiptare, do të jetë edhe një serial statik, një vendnumrim… një plus më shumë në shtimin e nervozës dhe të manipulimit. Një zhgënjim i radhës i popullit.