Kryeministri Hristijan Mickoski sot deklaroi se pret që Komisioni Rregullator për Energjetikë nesër të marrë vendim me të cilin çmimet me pakicë të derivateve të naftës do të ulen mesatarisht për rreth 1,5 denarë për litër. Ai informoi se do të mbetet në fuqi edhe marrëveshja me OKTA-n, për zbritje deri në fund të prillit për benzinat prej 2 denarë për litër, ndërsa për naftën (dizellin) 3 denarë për litër, raporton Portalb.mk.
“Ndodhemi në një periudhë të pasigurisë së theksuar globale. Goditjet e çmimeve të energjisë janë pasojë e zhvillimeve gjeopolitike, veçanërisht krizave në Lindjen e Mesme dhe çrregullimeve në tregjet botërore. Në kushte të tilla, përgjegjësia e çdo qeverie është të reagojë në kohë dhe të amortizojë pasojat për qytetarët dhe ekonominë. Sipas analizave të fundit në nivel evropian, sipas FMN-së, në Evropë jemi ndër tre vendet e para që kanë ndryshuar më së shumti dhe kanë zbatuar më shumë masa për përballimin e goditjeve të çmimeve”, tha Mickoski.
Ai theksoi se politikat janë plotësisht në përputhje me trendet botërore dhe se kur ka korrigjime të çmimeve në bursat ndërkombëtare, qeveria reagon gjithashtu përmes TVSH-së dhe akcizës.
Qeveria në mbledhjen e fundit vendosi që TVSH-ja për dizelin të rikthehet në 18 përqind, gjë që Mickoski e arsyetoi me çmimet aktuale në bursë, sipas të cilave edhe me këtë masë çmimi do të ulet. TVSH prej 10 përqind do të vazhdojë të vlejë për benzinat edhe për dy javë, pasi për to bursat nuk shënojnë ulje. Ulja e akcizës për dizelin do të jetë 4 denarë për litër, ndërsa për benzinat 2 denarë për litër.
Kujtojmë se ditë më parë deputetët në Parlament dhanë dritën jeshile për të zgjatur gjendjen e jashtëzakonshmenë furnizimin me naftë dhe derivate të naftës. Me këtë vendim, gjendja e jashtëzakonshme do të jetë në fuqi deri më 20 korrik 2026.


