Kryeministri pakistanez kërkon që vendeve të varfra t’u shlyhen borxhet

Kryeministri i Pakistanit, Imran Khan ka bërë apel global duke kërkuar nga vendet e pasura dhe institucionet financiare ndërkombëtare që të shlyejnë borxhet e vendeve të varfra që janë goditur rëndë me krizën e shkaktuar nga koronavirusi i ri (COVID-19).

Qeveria e Pakistanit ka ngritur një program ambicioz për të ndihmuar miliona qytetarë të saj që përballen me vështirësi financiare.

Me programin janë siguruar nga 12.000 rupi (rreth 75 dollarë) për 10.2 milionë familje me të ardhura të ulta që janë goditur më rëndë me krizën ekonomike të shkaktuar nga pandemia.

Kryeministri Khan të dielën mbrëma në adresimin televiziv apeloi për faljen e borxhit të qytetarëve më të prekur, ndërsa të njëjtën gjë e bëri edhe muajin e kaluar kur u bëri thirrje vendeve të pasura që të shlyejnë borxhet e vendeve të varfra, fillimisht me vendet e botës së tretë.

Sipas gazetës “The Dawn”, borxhi i përgjithshëm dhe detyrimet financiare të Pakistanit arrijnë në 41 miliardë rupi ose rreth 246 miliardë dollarë.

Khan deklaroi se pakoja e tij e plotë e ndihmës për luftë kundër koronavirusit arrin rreth 8 miliardë dollarë për rreth 220 milionë banorë, duke shtuar se kjo mund të krahasohet me vendet si SHBA-të të cilat paralajmëruan pako ndihme prej 2 trilionë dollarë ose Gjermaninë me pako prej 3 trilionë euro.

Në Pakistan deri tani janë regjistruar 5.374 raste të konfirmuara me koronavirus me 93 raste të vdekjes, por testimet kryhen mjaft ngadalshëm dhe ky vend deri tani ka zbatuar rreth 3.500 teste në ditë ndërsa planifikon të rrisë në 5.500 pasi të fitojnë teste të reja.