“Kryeministri i BDI-së”, nismë e dështuar – asnjë parti nuk e mbështet idenë e Ali Ahmetit

Ideja e BDI-së për kryeministër shqiptar në Maqedoninë e Veriut nuk ka gjetur mbështetje tek asnjë parti politike në vend, shkruan gazeta LAJM.

Subjektet më të mëdha shqiptare e kanë quajtur manipulative këtë nismë, që sipas tyre, partia e Ali Ahmetit po e përdorë për përfitimin e pikëve politike gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 15 korrikut. Nga ana tjetër, partitë maqedonase, kanë porositur Ahmetin që idenë e tij ta mbajë vetëm për anëtarësinë e vet gjatë fushatës elektorale, duke e paralajmëruar se nisma e tillë do ta çojë në opozitë BDI-në.

Realizimi i idesë për kryeministër shqiptar në Maqedoni nuk është i mundur nëse nuk merr mbështetje nga partitë tjera, prandaj kjo ide quhet e dështuar që në start. BDI-ja e ka të pamundur që e vetme ta sigurojë postin e kryeministrit. Kjo parti që tubon vetëm votat e elektoratit shqiptarë, në zgjedhjet e vitit 2016 arriti të fitojë vetëm 10 mandate deputetësh, ndërsa për të fituar mandatin për formimin e qeverisë në RMV, një parti duhet të sigurojë të paktën 61 vota në Kuvend. Në Maqedoninë e Veriut, gara për kryeministër është zhvilluar gjithmonë mes partive maqedonase, LSDM dhe VMRO-DPMNE, që historikisht kanë grumbulluar numrin më të madh të votave në vend. Joseriozitetin e BDI-së me nismën e saj, e dëshmon edhe fakti që kjo parti premton kryeministër shqiptar në qeverinë e re ndërsa nuk shpalosë emrin e kandidatit.

“Shqiptarët po injorojnë dorën e zgjatur të Ali Ahmetit dhe BDI-së dhe këtë do ta bëjnë edhe ditën e zgjedhjeve. Kështu që, nuk është hera e parë që ata bëjnë deklarata të tipit, kryeministër apo kryetar Parlamenti. Mos harroni se në vitin 2014 pati premtuar se nuk hyn në qeveri nëse nuk e merr kryetarin e Parlamentit dhe ju jeni dëshmitarë se menjëherë pas zgjedhjeve ai shkoi dhe e votoi Trajko Veljanovskin për kryetar Parlamenti. Ai nuk ishte aty as kur u zgjodh kryetari i parë shqiptarë i Parlamentit dhe iku. Me fjalë të tjera, çdo fjalë e thënë prej tyre është thjeshtë për tendencat e fundit për të mbijetuar në skenën politike. Unë i kam bërë thirrje Ali Ahmetit që të del në debat dhe t’i parashtrojmë argumtentet, të tregojë se çfarë dëshiron, por në sy të të gjithë shqiptarëve. Ata nuk e pranojnë këtë gjë, sepse ofertën e kanë manipulative”, tha Sela për gazetën LAJM.

Nga partia “Alternativa”, kanë thënë se, ideja e BDI-së për kryeministrin shqiptar, nuk ia vlen as të komentohet, për shkak të autorit joserioz dhe jokredibil të saj. “Ideja e kësaj partie nuk ia vlen as të komentohet për të shkak të autorit joserioz dhe jokredibil për ide të këtilla sepse çështja e posteve nuk është fontanë dëshirash që ne të ekzaltohemi se dikujt i ka shkuar në mendje një dëshirë aq e bukur. Nuk dua të merren fare me ata se ata e kanë pasur rastin që edhe në të kalurën të dëshmojnë se kanë potencë politike që të marrin këso poste të larta në shtet. Për fat të keq ata e kanë shitur shumë lirë, madje edhe falas. Nuk ja vlen të merresh me ata”, tha Zekirja Ibrahimi, anëtari i kryesisë qendrore të “Alternativës”.

Nga ana tjetër, VMRO DPMNE-ja ka kundërshtuar idenë e BDI-së për një kryeministër shqiptarë, duke nënvizuar se këtë kërkesë mund ta mbajë vetëm për anëtarësinë e saj. “BDI-ja si duket ndihet shumë rehat dhe komod në këtë koalicion 3-vjeçar me LSDM-në dhe mendon se si funksionon me LSDM-në, ashtu janë edhe të gjithë partitë e tjera politike. Atë që dua t’i porosis edhe ata është që të kenë kujdes se si sillen sepse neve maqedonasve por edhe qytetarëve tjerë të Maqedonisë, na ka dalë mbi kokë të jenë qytetarë të rendit të dytë dhe atë lloj të kërkesave mund t’i mbajnë vetëm në radhët e tyre për inkurajimin dhe motivimin e anëtarësisë së tyre”, deklaroi Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO-DPMNE-së.

Ndërkohë, ditë më parë, kryetari i LSDM-së Zoran Zaev tha për TV21 se “nëse BDI ka kusht të këtillë për koalicion për Qeverinë, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme”. “Nëse LSDM fiton në zgjedhje, unë jam kandidati për Kryetar të Qeverisë dhe do të jem kryeministër që në mënyrë të barabartë do të luftojë për jetë më të mirë për të gjithë qytetarët e Maqedonisë së Veriut, gjë që e kam dëshmuar në të gjitha politikat e mia gjatë viteve. Në përputhje me këtë, nëse BDI ka kusht të këtillë për koalicion për Qeverinë, atëherë BDI nuk do të jetë pjesë e qeverisë së ardhshme” tha Zaev. /Gazeta LAJM, gazetare: Senehate Nimani