Kryeministri i Australisë mesazh urimi për muajin e Ramazanit

Kryeministri i Australisë, Scott Morrison, uroi të gjithë muslimanët në disa gjuhë për fillimin e muajit të Ramazanit.

“Muaji i shenjtë Ramazani për muslimanët në mbarë botën është muaji i sakrificës së veçantë. Ky është muaji i agjërimit dhe lutjes, si dhe një reflektim i thellë dhe rilindje shpirtërore”, tha Kryeministri i Australisë në një mesazh.

Ai rikujtoi se muslimanët për shkak të masave rigoroze të ndërmarra për shkak të pandemisë së koronavirusit të ri (COVID-19) janë detyruar që aktivitetet e Ramazanit dhe iftaret ti organizojnë në shtëpitë e tyre me rrethin e ngushtë familjar.

“Ashtu si ju, do të dëshiroja që xhamitë të ishin të hapura. Do të dëshiroja që vendet e adhurimit të ishin të hapura gjatë muajve të shenjtë. Ju siguroj se do të vijë koha kur të gjitha vendet e adhurimit do të hapen përsëri”, shtoi ai.

Ai gjithashtu tha se duke pasur parasysh situatën globale të pandemisë, njerëzve u duhet shpresa dhe forca shpirtërore e siguruar nga feja.

“Shpresoj që muslimanët që jetojnë në Australi gjatë këtyre kohërave të vështira do të fitojnë forcë shtesë nga besimi i tyre, familjet, komuniteti dhe ndjenja e solidaritetit. Dua të falënderoj muslimanët në të gjithë Australinë për gjithçka që ata bëjnë dhe kështu tregojnë sjellje shembullore dhe udhëheqje në shoqëri. Ndërsa hyjmë në muajin e Ramazanit dua t’ju uroj që të përjetoni një vetë-reflektim të thellë dhe të dobishëm dhe të luteni për njëri-tjetrin në këto kohë krize. Ju qoftë me fat Ramazani”, thuhet në mesazhin e Morrison.

Më shumë se 600 mijë muslimanë jetojnë në Australi.