Kryeministri bullgar, Kiril Petkov nis vizitën e tij në Shkup

Në Qeveri tashmë ka arritur delegacioni bullgar në krye me kryeministrin Kiril Petkov, shkruan TV2. Petkov në Aeroportin e Shkupit u prit nga ministri për Punë të Jashtme, Bujar Osmani ndërsa në Qeveri u prit me ceremoni të lartë shtetërore nga kreu i ekzekutivit, Dimitar Kovaçevski.

Sipas agjendës së vizitës, kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov do të kenë takim tet-a-tet, ndërsa takime të ndara do të kenë edhe zëvendëskryeministri Bojan Mariçiq me kryetarin e Kuvendit Popullor bullgar, Kristian Vigenin, ministrat e Punëve të Jashtme të të dyja shteteve, Bujar Osmani dhe Teodora Gençovska, si dhe ministrat e Transportit dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski dhe Nikollaj Sabev.

Programi për vizitën pastaj parasheh mbledhje plenare të të dyja delegacioneve me të cilin do të kryesojnë kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov pas çka do të vijojë edhe konferenca e tyre e përbashkët për media.

Kryeministrat Kovaçevski dhe Petkov, pastaj, në Klubin e Deputetëve, zyrtarisht do ta promovojnë projektin për ndihmë në zhvillimin “Ditari elektronik për persona me diabet”, të cilin kryeministri Petkov do t’ia dorëzojë kryeministrit Kovaçevski si donacion nga Republika e Bullgarisë.

Në pjesën tjetër të agjendës për vizitën e delegacionit të Republikës së Bullgarisë, kryeministri Petkov do të ketë takime të ndara me presidentin, Stevo Pendarovski dhe me kryetarin e Kuvendit, Talat Xhaferi.