Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Çekisë nisen me tren për në Kiev

Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Çekisë nisen me tren për në Kiev
Kryeministrat e Polonisë, Sllovenisë dhe Republikës Çeke janë nisur me një tren për në Kiev për t’u takuar me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky dhe kryeministrin Denys Shmyhal.

Treni është nisur rreth orës 9 të mëngjesit me orën lokale, ka bërë të ditur të martën zyrtari polak, Michal Dworczyk.

Për në kryeqytetin ukrainas udhëtojnë Mateusz Morawiecki i Polonisë dhe zëvendësi i tij Jarosław Kaczyński, Janez Janša i Sllovenisë dhe Petr Fiala i Republikës Çeke.

Qëllimi i vizitës është “të konfirmojnë mbështetjen e qartë të të gjithë Bashkimit Evropian për sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës, dhe të paraqesin një paketë të gjerë mbështetjeje për shtetin dhe shoqërinë ukrainase”, ka thënë një zëdhënës i qeverisë polake.

Sipas tyre, udhëtimi ishte organizuar në marrëveshje me presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel dhe Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe shtuan se komuniteti ndërkombëtar do të informohet për vizitën e delegacionit përmes organizatave ndërkombëtare, përfshirë Kombet e Bashkuara.

09:17
Kryeministrat e Polonisë, Çekisë e Sllovenisë shkojnë sot në Kiev
Kryeministrat e Polonisë, Republikës Çeke dhe Sllovenisë do të udhëtojnë sot (e martë) për në Kiev të Ukrainës, si pjesë e një misioni të Bashkimit Evropian për të treguar mbështetje për këtë shtet, ndërkohë që trupat ruse tashmë janë duke avancuar drejt kryeqytetit ukrainas.

“Qëllimi i vizitës është që të shprehet mbështetja e pakusht e vendeve të BE-së për Ukrainën, lirinë dhe pavarësinë e saj”, ka shkruar në Twitter, kryeministri çek, Petr Fiala.

Në këtë udhëtim, ai do të shoqërohet nga kryeministri slloven, Janez Janša, kryeministri polak, Mateusz Morawiecki dhe Jaroslaw Kaczynski, që është zëvendësminitër polak për siguri.