Krizë edhe te mërgimtarët, me më pak pare drejt vendlindjes (VIDEO)

Alsat përmes një kronike ka pasqyruar gjendjen e mërgimtarëve, që tashmë një pjesë veçmë ka ardhur, ndërsa një pjesë tjetër pritet të vijnë ditëve në vijim.

Ardhja e mërgimtarëve nuk është sikurse vitet tjera. Javën e parë të korrikut, ata që kanë planifikuar të kalojnë festën e Bajramit në gjirin familjarë vetëm se kanë arritur, shkruan Alsat.

Një pjesë që kanë ardhur për festën e Bajramit thonë se këtë vit do të kursejnë pak më tepër, dhe se ka prej tyre që nuk do të shkojnë nëpër pushime të shtrenjta, ndërsa për bakshishe nëpër dasma do të jenë më dorështrënguar.

“Valla rëndë është, nuk është vlera si përpara. Inflacioni na ka mbytur, veç sa për mbijetesë se nuk ka më fitim siç ka pasur përpara. Gjërat elementare të nevojshme për njeriun janë shtrenjtuar tepër, gjithçka që shtrenjtohet është e logjikshme që vlera e parasë bie”, tha një mërgimtar.

“Këtu është më keq, në vitet tjera me nga 500 euro në muaj u qoja për idare, tani ato nuk vlejnë. E njëjta gjë është edhe atje, për shembull vaji me 3,8 euro sikurse këtu por nuk ndjehet kriza, atje dallojnë pagat”, theksoi një qytetar.

Eksperti për çështje ekonomike, rektori aktual i UNT-së, Izet Zeqiri thotë për Alsat se megjithëse krizë, mërgimtarët janë burimi kryesor që mbush buxhetin e shtetit.

“Do të vijnë, por konsumin nuk do ta kenë pasi ka edhe shtrëngim e zvogëlim të investimeve në investimet kapitale që bëjnë bashkë atdhetarët tanë në ndërtimin e shtëpive. Kjo do të reflektoj edhe në nivel të shtetit por edhe të regjioneve, posaçërisht komuniteti i biznesit hapur e paraqet shqetësimin se presin mërgimtarët në fluks më të madh të konsumit, por parashikimet janë se shpenzimet nuk do të jenë në nivelin e viteve të kaluara”, thekson profesori Zeqiri.

Edhe Banka Popullore e Maqedonisë thotë se ka rënie të parave që vijnë nga mërgimtarët dhe kjo është vërejtur në krahasim me tremujorshin e parë të këtij viti, duke krahasuar me vitet e kaluara. Për tre muajt e parë të vitit dërgesa e rregullta përmes transaksioneve bankare kanë arritur në 76 milion euro, dërgesë e cila ishte më e lartë në dy vitet paraprake të pandemisë. Por, të ardhurat e sakta nga mërgimtarët janë edhe më të larta pasi që ata bartin me vete para në të gatshme, si dhe dërgesa përmes transferove të shpejta.