Kriza në zyrën e Avokatit të Popullit – Qytetarët pa mbrojtje, institucioni në pasiguri pas festave

Zyra e Avokatit të Popullit është në prag të kolapsit të tërësishëm.

Nëse nuk zgjidhet Avokati, praktikisht qytetarët prej vitit të ardhshëm mund të mos kenë një derë ku mund të trokasin nëse u shkelen të drejtat dhe liritë e tyre nga institucione të ndryshme shtetërore.

Alsat sot vizitoi punonjësit të cilët në rrethana të jashtëzakonshme trajtojnë lëndët e qytetarëve, por sipas tyre, është ironike që të mbrojnë të drejtat e të tjerëve, derisa nuk kanë vetë të drejta.

“Veçanërisht prej vitit 2026-të do të jemi të vdekur. Në vdekje klinike. Pasi as do të ketë dikush autorizim të nënshkruajë diçka. Motivimi i punëtorëve është në nivel shumë të ulët me atë që, ne luftojmë për të drejtat e njeriut, madje edhe për të drejtat e të punësuarve në institucione tjera, të cilat ne nuk i kemi dhe nuk mundemi t’i realizojmë. Ndërsa për ne, nuk ka kush të luftojë. Realisht, ne nuk kemi ku të ankohemi, përveç të ngritin procedurë në Gjykatë”, tha Marjan Ponjaviç, Këshilltar Shtetëror në Zyrën e Avokatit të Popullit.

Kolegia e Marjanit, Albina Ismaili tanimë 13 vite punon në këtë institucion, në mbrojtje të lirive dhe të drejtave të qytetarëve.

Aktualisht, ajo vepron në lëndët që kanë të bëjnë me shkeljen e të drejtave për pensione, por edhe sigurime dhe mbrojtje shëndetësore.

Ismaili thotë që deri tani për shkak të arsyeve morale u janë përgjigjur kërkesave të qytetarëve, kanoset që institucioni të bie në kolaps total, madje dhe të ngelet në rrugë.

“Me keqardhje mund të ju njoftoj se për herë të parë në historinë e institucionit tonë që ka histori 25 vjeçare, ndodh që të kemi probleme serioze në funksionimin e përditshëm. Qytetarët i vuajnë pasojat për shkak të bllokadës që veçmë e dhatë edhe ju si medium. Avokati i Popullit për fat të keq edhe pse është i vetmi institucion për mbrojtjen e lirive dhe të drejtave të qytetarëve. Me përvojën e tij 25-vjeçare nuk ka arritur që të marrë objektin e vet nga shteti. Ne jemi qiradhënës në këtë objekt dhe paguajmë qira mujore”, u shpreh Albina Ismaili, Këshilltare Shtetërore në Zyrën për Avokatin e Popullit.

I autorizuari Avokati i Popullit Ylber Rufati, mbrëmë në intervistën për Alsat përsëriti apelin për të zgjedhur Avokat të Popullit ose në të kundërtën kërkoi nga kryetari Afrim Gashi që të vazhdojë autorizimin edhe për vitin 2026./ Alsat.mk