Krimet në Buça sikur ato në Kosovë! Flet ukrainasi që i ndihmon gazetarët e huaj në zonat e luftës

Bota ishte tronditur nga gjenocidi i forcave serbe ndaj shqiptarëve në Kosovë më 1998-1999. Por, vetëm pak më shumë se dy dekada më vonë e njëjta po ndodh edhe në Ukrainë. Atje tani kryes të masakrave janë ushtarët rusë.

Andrei Kovalenko, drejtor i organizatës joqeveritare ”Akademia e Shtypit të Ukrainës”, është duke kontribuuar që bota ta marrë vesh saktë se çfarë po ndodh atje. Kjo, duke i ndihmuar gazetarët e huaj që po raportojnë për agresionin rus.

Për klankosova.tv, ai tha se mbi 120 gazetarë të huaj e kanë vizituar Ukrainën, e disa nga ta kur e panë masakrën e Buçës, e krahasuan me krimet e ndodhura në Kosovë.

Klankosova.tv: A ka përmendur ndonjëri prej tyre masakrat e kryera në Kosovë nga forcat serbe?

”Po, sigurisht, disa prej tyre e kishin atë krahasim”, shprehet Kovalenko.

Si ndërmjetësues i gazetarëve të huaj e keni vizituar morgun në Buçë – çfarë keni parë aty, më saktë? Mund të na e përshkruani pak atë ditë që e cilësuat edhe si një nga më të vështirat gjatë punës suaj?

”Numri i madh i trupave të pajetë. Intervista të vështira me të afërmit e të vdekurve. Unë isha me gazetarë të huaj atë ditë duke përkthyer, duke ndihmuar për të bërë materiale. Është shumë e vështirë të komunikosh me të afërmit e viktimave, për të lënë dhimbjen e tyre të kalojë nëpër ty. Në varrezat në Buça ka një numër të madh varresh të reja. Ato janë hapur përgjatë rrugës pas gardhit”.

A kishte fëmijë midis viktimave, dhe të çfarë moshe?

”Nuk pashë asnjë fëmijë konkretisht. Trupat janë në qese plastike. Por, sipas stafit të Qendrës për Asistencë Informative të organizuar në morg, aty ndodheshin edhe trupat e fëmijëve”.

Çfarë mjetesh e armësh dyshohet të jenë përdorur nga rusët në masakrën e Buçës?

”Shumica u qëlluan ose kishin lëndime me predha. Por kishte edhe njerëz që vdiqën sepse nuk mund të merrnin në kohë kujdesin mjekësor apo mjekimin për t’ua shpëtuar jetën. Të moshuarit kanë pasur një numër të madh infarktesh dhe goditjesh në tru”.

Cila është historia më e rëndë e ukrainasve që e keni dëgjuar që nga fillimi i luftës nga rusët?

”Ka shumë: përdhunime, vrasje. Por, historia që më tronditi më së shumti, ishte ajo në morg. Një nënë e dinte se trupi i fëmijës së saj ishte në një frigorifer të lëvizshëm mes shumë trupave të tjerë. Ajo sillej gjatë gjithë kohës dhe madje flinte pranë tij. Psikologët vendas bënë shumë punë për të stabilizuar gjendjen e saj”.

Sipas jush, çfarë mund të kishte çuar në masakrën e Buçës? A mund të ishin mediat me raportet e tyre për humbjen e rusëve nga ukrainasit, apo kjo është vetë strategjia ruse që ata përdorin rregullisht?

”Ushtria ukrainase shkatërroi ura, dhe e bllokoi përparimin drejt Kievit në tre krahë, kështu që përparimi i mëtejshëm ishte i pamundur. Ata (rusët) pësuan humbje të rënda.  U zemëruan nga ndjenja e humbjes dhe mosndëshkimit. Natyrisht, e gjithë kjo është bërë me lejen e autoritetit më të lartë. Ata nuk janë njerëz, janë kafshë, barbarë… Unë mendoj se media nuk ka lidhje me këtë. Ushtarët e zakonshëm rusë nuk i lexojnë mediat perëndimore. Sidomos propaganda ruse mbrohet në mënyrë aktive. Është e njëjta sekuencë veprimesh si me rastin e MH-17 (avionit të Malajzisë që u godit me raketë mbi Ukrainë më 2014, duke i lënë të vdekur 283 udhëtarë dhe 15 pjeëtarë të personelit) : mohimi dhe gjetja e fajtorëve të tjerë. Ata thonë se ukrainasit vranë dhe përdhunuan veten. Ndërsa bëjnë punë aktive në rrjetet sociale me opinionistë, duke thënë se një ushtar rus nuk mund ta bënte kurrë një gjë të tillë…”

Kovalenko është i bindur se rusët nuk e prisnin se Forcat Ushtarake të Ukrainës, do të bënin një rezistencë të tillë.

Si është situata tani në Ukrainë? A ka dallim në raport me ditët e para të luftës?

”Pushtuesit rusë nuk i arritën qëllimet e tyre, dhe i ashtuquajturi ‘Blitzkrieg’ (sulm i befasishëm) dështoi. Ata nuk mund ta pushtojnë Kievin brenda pak ditësh. Humbjet e tyre ishin aq të mëdha sa u desh të tërhiqen. Ata nuk e prisnin që Forcat Ushtarake të Ukrainës do të ishin në gjendje të bënin një rezistencë të tillë. Gjithçka që mund të bënin ishte të shkatërronin Mariupolin, Kharkivin, Chernihivin dhe Borodyankan me aeroplanët dhe raketat e tyre ushtarake. Ata vrasin, përdhunojnë civilë, plaçkisin dhe shkatërrojnë Buchan, Irpenin dhe Gostomelin. E duan pushtimin e Khersonit, Melitopolit, Berdyanskit dhe fshatravet përreth”.

Tutje ai shton:

“Plani ‘B’ ka filluar: ata janë rigrupuar. Tani ka beteja aktive në jug dhe lindje të Ukrainës, granatime të vazhdueshme nga raketa dhe avionë në të gjithë Ukrainën. Tani nuk ka vend të sigurt as në Ukrainën Perëndimore’’.

Kovalenko pranon se vet nuk ka pasur ballafaqim me forcat ruse, por kujton faktin se deri më tani në shkallë të gjerë që nga fillimi i luftës në Ukrainë,  janë vrarë 24 gazetarë vendorë e ndërkombëtarë.

Po ju personalisht gjatë kryerjes së detyrës, a jeni përballur me forcat ruse? Nëse po, cili ishte reagimi juaj?

“Falë Zotit jo. Njëzet e katër gazetarë janë vrarë që nga fillimi i luftës në shkallë të gjerë, duke përfshirë edhe kolegë të huaj. Duhet të kuptoni se sapo pushtuesit rusë shohin një person të etiketuar “PRESS “, ai ose ajo bëhet automatikisht një cak i tyre, sepse gazetarët po i dokumentojnë krimet e luftës të rusëve kundër Ukrainës”.

Si ndërmjetësues, ai thotë se për gazetarët e huaj kjo luftë është shumë e befasishme.

Në çfarë situatash i keni ndihmuar gazetarët evropianë? A e kanë të vështirë të raportojnë nga lufta?

“Që nga fillimi i luftës së gjerë, ne filluam punën me gazetarë të huaj. Tashmë kemi bashkëpunuar me më shumë se 20 kolegë. Sigurisht që është e vështirë për ta të kuptojnë se mund të ketë një luftë në shekullin 21 në qendër të Evropës’’.

Puna në këto rethana është sfiduese edhe në aspektin familjar.

Po familja? Sa shpesh jeni dëgjuar me ta, a janë të sigurt?

”Familja ime nuk është në Ukrainë tani, ata janë të sigurt. Ne komunikojmë çdo ditë, në video-messenger. Sigurisht që më mungojnë shumë, por siguria e tyre është çështja kryesore. Duke e ditur se ata janë mirë, unë mund të punoj në mënyrë aktive”.

E duke qenë se lufta në Ukrainë mori vëmendjen e gjithë botës, Andrei Kovalenko, në këndvështrimin e tij u pyet edhe për rëndësinë e një marrëveshjeje paqeje mes Volodimirit të Ukrainës, dhe Vladimirit të Rusisë.

A mendoni se për hir të paqes, Zelensky dhe Putin duhet të arrijnë një marrëveshje?

”Çdo luftë përfundon me negociata, vetëm se me çfarë kushtesh… Ne nuk e kemi sulmuar askënd, ne po mbrojmë tokën tonë brenda kufijve territorialë ndërkombëtare. Rusia është një pushtues dhe duhet të përgjigjet për të gjitha krimet e luftës kundër Ukrainës”.

Kovalenko i ka shoqëruar disa nga liderët ndërkombëtarë gjatë vizitave që i bënë në zonat ku u kryen masakra nga forcat ruse.

Si i vlerësoni vizitat e liderëve apo zyrtarëve ndërkombëtarë në Ukrainë, sidomos në zona si Buça?

”Isha me kolonën e sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së Antonio Guterres kur ai vizitoi qytetet Borodyanka, Bucha dhe Irpin. As materiali më i mirë gazetaresk nuk do mund ta përcjellë atë që duhet të shihni me sytë tuaj. Ne kemi nevojë për më shumë ndihmë, më shumë armë dhe mbështetje. Ne ukrainasit jemi një komb paqësor. Ne nuk e donim këtë luftë, por ne duhet të mbrojmë tokën tonë, lirinë tonë. Ne nuk duam të jetojmë nën regjimin e Putinit”.