Kreu i Kumanovës shuan shpresat për mësuesit, nuk ka para për orët shtesë

Komuna e Kumanovës ka shuar shpresat e mësimdhënësve për pagesën e orëve shtesë në arsimin fillor. Kreu i Kumanovës, Maksim Dimitrievski tha për Alsat se mësimdhënësit meritojnë të marrin shtesat në pagë por kjo nuk mund të realizohet për shkak të buxhetit të pamjaftueshëm nga bllok dotacionet.
Mësuesit meritojnë t’u paguhen orët shtesë që po i realizojnë në kushte të pandemisë. Fatkeqësisht, në komunën e Kumanovës, ndoshta edhe në komuna tjera, posaçërisht në pjesën e arsimit fillor, bllok dotacionet nuk mund ti mbulojnë shpenzimet e tilla. Shkollat filore tashmë janë në gjendje të vështirë financiare. Në tre vitet e fundit në vazhdimësi po shlyejmë borxhet e mbetura”.

Mësuesit që tashmë po realizojnë orët shtesë nuk heqin dorë nga pagesat. Thonë se po përballen me vështirësi të shumta, ndërsa ndjehen edhe të diskriminuar.

Ne e filluam punën duke menduar se do të punojmë një javë, dy apo tri, apo një muaj. Në vazhdojmë të punojmë por mendoj se e tepruar është kjo, dikush të punoj në dy ndërrime, dikush në një ndërrim edhe të mos na e kompensojnë punën shtesë. Në vend se ti mbajmë katër ose pesë orë në ditë ne po duhet ti mbajmë edhe nga nëntë ose dhjetë orë. Është një lodhje e tepërt, kjo është një e padrejtë ndaj neve- deklaroi Xhelal Latifi, mësues, sh.f “Bajram Shabani” Kumanovë.

Nga Sindikata për Arsim përsëritën se pagesa shtesë e mësimdhënësve është detyrim ligjor I autoriteteve përkatëse.

Jo se ky është qëndrimi im ose unë dëshiroj ashtu, por këtë e parasheh ligji dhe marrëveshja kolektive. Secili që ka bërë më shumë punë nga ajo e caktuara duhet ti paguhet puna shtesë. Secili që nuk ka paguar do të ballafaqohet me ligjin. Patjetër ta përmendi se tashmë kemi bërë paraqitje edhe në inspektoratin e punës, të konstatojnë se drejtorët kanë bërë shkelje në këtë rast, të bëjnë proces verbal pas çka do ti detyrojnë shkollat ti paguajnë këta mësimdhënës- pohoi Jakim Nedellkov, kryetar i SASHK-ut

Nga Ministria e Arsimit kanë përsëritur se komunat vendosin nëse do të paguhen orët shtesë të mësimdhënësve që realizojnë mësimin me prezencë fizike në shkollë./ALSAT