Kovaçevski-Von der Leyen: BE-ja ofron mbështetje të fortë për arritjen e një konsensusi për ndryshimet kushtetuese

Kryeministri i RMV-së, Dimitar Kovaçevski, ka takuar kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, në Bratislavë, ku po marrin pjesë në Forumin “Global të Sigurisë GLOBSEC 2023”.

Në takim ishte i pranishëm edhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani.

Kryeministri Kovaçevski theksoi përkushtimin e Qeverisë së RMV-së për përmbushjen e reformave në kapitujt kyç të procesit të anëtarësimit në BE. Në të njëjtën kohë, Kovaçevski falënderoi për mbështetjen e Komisionit Evropian dhe marrëdhëniet e partneritetit në çdo fazë të procesit.

Kovaçevski mori garanci nga Von der Leyen se BE-ja mbetet mik dhe partner i Maqedonisë së Veriut dhe ofron mbështetje të fortë për arritjen e një konsensusi politik për ndryshimet kushtetuese, për të mirën e vendit dhe rajonit.

Në këtë drejtim u shpreh pritshmëria që të gjithë aktorët politikë në vend ta njohin rëndësinë e momentit për të ardhmen e vendit dhe të veprojnë në favor të integrimit evropian të Maqedonisë së Veriut.