Kovaçevski: VMRO-DPMNE çdo herë është kundër vendimeve strategjike të shtetit

“VMRO-DPMNE është kundër të gjitha vendimeve strategjike që ka marrë Maqedonia e Veriut që nga pavarësia e saj e deri më sot. Pra, nëse i kthehemi anëtarësimit në NATO, marrëveshjes së Prespës, nëse i kthehemi përfundimit të marrëveshjes me Bullgarinë, marrëveshjes për përdorimin e gjuhëve në shtet, kornizës së negociatave… gjithmonë VMRO-DPMNE është kundër, por nuk votojnë kundër, gjithmonë e lënë sallën e Kuvendit dhe gjithmonë pas kësaj fshihen pas qytetarëve duke kërkuar referendume të caktuara etj”.

Këtë e tha për RMTV kryeministri Dimitar Kovaçevski. Ai shtoi se 17 vite vendi priste fillimin e negociatave me BE-në dhe nga ato 17, 11 vjet në pushtet ishte VMRO-DPMNE.

“Problemi është se VMRO-DPMNE-ja dhe politika që e ka udhëhequr ajo lidership, e cila politikë pasqyrohet në këtë lidership, është politikë e mosvazhdimësisë së shtetit. Pra, nëse shikoni politikën e udhëhequr nga presidenti Gligorov, i udhëhequr nga kryeministri Kljusev, i udhëhequr nga presidenti Crvenkovski, kryeministri Georgievski, presidenti Trajkovski dhe nëse e krahasoni me politikën e njëmbëdhjetë viteve të Gruevskit dhe Ivanovit, atëherë do të shihni një dallim të qartë”, tha Kovaçevski.

Ai shtoi se politikat integruese, të fqinjësisë së mirë dhe të përparimit të vendit kanë udhëhequr të parët, dhe politikat e kohës së Gruevskit kanë qenë deklarative për anëtarësim në NATO dhe BE.