Kovaçevski: Varet nga ne se sa shpejt do ta përfundojmë procesin e negociatave dhe anëtarësimit në BE

Çdo anulim apo bllokim i vendimeve në Kuvend që i referohen integrimit evropian nënkupton ngecjen e shtetit drejt anëtarësimit të plotë në BE. Tani varet nga ne, nga të gjitha partitë politike, nga të gjithë deputetët në Kuvend dhe nga të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin e negociatave se sa shpejt do ta përfundojmë procesin e negociatave dhe anëtarësimit në BE, deklaroi kryeministri Dimitar Kovaçevski në takimin me gazetarët në Sofje.

“Baza e anëtarësimit tonë në NATO, e fillimit tonë të negociatave me BE-në janë Marrëveshja e Prespës me të cilën arritëm marrëveshje me Greqinë dhe Marrëveshja e fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, në bazë të së cilës u arrit marrëveshja për heqjen e vetos së Bullgarisë dhe fillimin e negociatave me BE-së. Në atë rrugë drejt anëtarësimit në BE, ne kemi aktivitete që duhet t’i ndërmarrim dhe disa prej tyre janë përgjegjësi e deputetëve të Kuvendit. Çdo bllokim i marrjes së këtyre vendimeve, çdo anulim apo bllokim nënkupton vonimin e shtetit drejt anëtarësimit të plotë në BE. Tani varet nga ne, nga të gjitha partitë politike, nga të gjithë deputetët në Kuvend dhe nga të gjithë ata që janë të përfshirë në procesin e negociatave se sa shpejt do ta përmbyllim procesin e negociatave dhe anëtarësimit në BE”, porositi Kovaçevski në pyetjen e gazetarëve gjatë brifingut në QIK të Maqedonisë së Veriut në kryeqytetin bullgar dhe pas takimeve me Qeverinë bullgare dhe presidentin Rumen Radev.

Ai përkujtoi se Maqedonia e Veriut ka filluar negociatat me BE-në dhe se Qeveria ka marrë vendim për formimin e strukturës së negociatave.

“Tashmë kemi një kryenegociator, kemi një strukturë të plotë dhe deri më 15 shtator kemi fillimin e procesit të skriningut, i cili është një pjesë jashtëzakonisht e rëndësishme e negociatave, sepse përmes skriningut, detyrimet që ka një vend në negociatat me Unionin janë të definuara”, tha Kovaçevski, duke theksuar se vendi pritet të përfundojë këtë proces deri në vitin 2030 dhe se ne e kemi atë kapacitet.

Ai theksoi se takimi i sotëm që kanë mbajtur me Qeverinë Teknike Bullgare, e më pas edhe me presidentin e Republikës së Bullgarisë, Radev, është pjesë e takimeve që ata mbajnë për të siguruar gjithçka që është e nevojshme për furnizim të pandërprerë të vendit me energji elektrike gjatë tremujori të katërt të këtij viti dhe tremujorin e parë të vitit të ardhshëm, të cilët, thotë ai, janë gjithmonë më kritikët për furnizimin me energji elektrike duke pasur parasysh nevojat e shtuara si për ngrohje ashtu edhe për industri.

“Ajo që kemi bërë tashmë si shtet është rritja e prodhimit të energjisë elektrike në kapacitete vendore, për të cilën EMV tashmë ka marrë detyrën të rrisë prodhimin për 25 për qind dhe me këtë mbulojmë nevojat e qytetarëve në tregun e rregulluar, domethënë familjeve dhe konsumatorëve të vegjël. Janë 72.000 kompani që marrin energji elektrike me çmim të subvencionuar nga shteti”, përkujtoi kryeministri Kovaçevski.

Tregu i lirë mbetet, thotë ai. Në këtë kontekst, ai tha se janë zhvilluar takime me përfaqësuesit e të gjitha odave ekonomike dhe në atë pjesë i kanë kushtuar vëmendje të madhe kërkesave të tyre dhe për të cilat diskutohet çdo ditë – vënia në funksion e të gjitha kapaciteteve që nuk janë në pronësi të shtetit, dhe që janë, thotë ai, TETO dhe burimet e rinovueshme të energjisë që janë në pronësi private.

EMV tashmë është në bisedime me pronarët e TETO-s për vënien e saj në funksionim 24 orë në ditë nga 1 tetori deri më 30 prill, e cila përveç energjisë ngrohëse për 55.000 qytetarë apo amvisëri të qytetit të Shkupit duhet të sigurojë edhe energji elektrike e cila do të ofrohet kryesisht për ekonominë në tregun e liberalizuar. Gjithashtu, siç u veprua vitin e kaluar, burimet e rinovueshme të energjisë që kanë kontrata me shtetin duhet të destinohen për ekonominë.

Krahas kësaj, thotë kryeministri Kovaçevski, takimet e sotme në Bullgari si eksportues i energjisë elektrike kanë për qëllim mbulimin e nevojave për energji elektrike që sigurohen në tregun e lirë dhe që kryesisht janë nga importi.

Kryeministri Dimitar Kovaçevski sot pasdite në Sofje në takimin me kryetarin e qeverisë së përkohshme bullgare Galab Donev, ku tema kryesore ishte trajtimi i pasojave të krizës energjetike, u pajtuan që të formohet një grup pune që duhet të përcaktojë aspektet teknike në lidhje me  marrëveshjen për furnizim për dy javë me 200 megavat orë energji elektrike për nevojat e Maqedonisë së Veriut për periudhën deri më 31 mars të vitit të ardhshëm.

Kovaçevski, i shoqëruar nga delegacioni qeveritar, pasdite në Sofje pati takim pune me presidentin e Republikës së Bullgarisë, Rumen Radev, me temë për ballafaqimin me krizën energjetike dhe përmirësimin e marrëdhënieve bilaterale. Në të njëjtën kohë, Radev vuri në dukje se Bullgaria edhe një herë do të solidarizohet me “Maqedoninë vëllazërore”.