Kovaçevski për nipin e Ahmetit: Pyesni Prokurorinë…?!

Kryeministri Dimitar Kovacevski sot nuk është përgjigjur nëse ka folur me liderin e BDI-së, Ali Ahmeti për ngjarjet e fundit me kryetarin e degës së BDI-së në Strugë, Ramiz Merko, që është futur në listën e zezë të SHBA-së si dhe për rastin e nipit të tij Drin Ahmeti, që është blerësi i qendrës tregtare “Soravia” në qendër të Shkupit.

Kryeministri Kovaçevski rekomandoi mediat që të gjitha pyetjet ti drejtojnë në Prokurori dhe gjykatat e vendit, përcjell INA.

“Kam pasur një deklaratë në lidhje me kryetarin e Komunës së Strugës dhe i kam bërë thirrje të gjitha institucioneve kompetente në kuadër të kompetencave të tyre ligjore që të veprojnë për të bërë gjithçka që është në përputhje me ligjin. Qeveria nuk është as Prokurori, as gjykatë. E dyta, ju më pyesni për nipërit e një politikani tjetër, për nipërit e atij politikani, do të pyesni atë politikan. Mund të më pyesni për nipërit e mi”, tha Kovaçevski duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve sot në Kumanovë.

Lidhur me rastin e Merkos, ai përsëriti se akuzat për të cilat kryetari i Komunës së Strugës është futur në listën e zezë të SHBA-ve janë të rënda.

Lidhur me kërkesën e Komisionit Kundër Korrupsionit për Ligjin për prejardhjen e Pronës, Kovaçevski tha se për këtë ligj është duke u punuar së bashku me përfaqësues nga BE-ja dhe se kabineti për luftë kundër korrupsionit është i përfshirë edhe në nivel të ekspertizës. “Sapo të jetë gati, do të dorëzohet”, tha Kovaçevski.(INA)