Kovaçevski për heqjen e “20%-shit”: Duhet pajtim nga partitë nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit

Procesi i ndryshimeve kushtetuese është vendimtar për rrugën e integrimit evropian të vendit dhe nuk duhet të kushtëzohet, u shpreh Kryeministri Dimitar Kovaçevski pas njoftimeve të bllokut opozitar shqiptar se nuk do të mbështesin ndryshimet kushtetuese nëse nuk hiqet formulimi “20 për qind” dhe nëse nuk pranohen amendamentet për luftë kundër korrupsionit. Sipas Kovçaevskit, heqja e “20 për qind” kërkon konsensus të gjerë dhe pëlqim të të gjitha palëve nënshkruese të Marrëveshjes së Ohrit, sepse marrëveshja është miratuar në kushte të vështira dhe me kompromis, garantues të së cilës janë SHBA-të dhe BE-ja.

“Edhe unë kam një përvojë sa i përket Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, ajo u miratua në kushte të vështira, përmes një kompromisi të garantuar si nga SHBA, ashtu edhe nga BE, dhe çdo ndryshim atje do të kërkojë një konsensus shumë të gjerë nga të gjitha palët nënshkruese të Marrëveshjes. Për momentin kemi një qëllim të madh që është në dorë dhe duhet ta arrijmë, dhe për herë të parë bllokada si­ kam thënë nuk vjen nga jashtë por nga brenda shtetit”, tha Dimitar Kova­çevski – kryeministër.

Përveç opozitës shqiptare, e qëndrimit se nuk do të votojë ndryshimet kushtetuese është edhe opozitarja maqedonase VMRO-DPMNE.

“VMRO-DPMNE për asnjë çmim nuk do të tërhiqet e për asnjë çmim nuk do ta pranojë diktatin bullgar. VMRO-DPMNE vetëm kërkon që të drejtat e komunitetit maqedonas në Bullgarinë perëndimore, Maqedonia e Pireut, të respektohen ashtu siç janë respektuar dhe pranuar në kohën e marrëveshjes së zbehtë të nënshkruar nga diktatori i atëhershëm jugosllav komunisti Tito dhe presidenti komunist bullgar Gjorgi Dimitov e kjo është autonomi e plotë kulturore”, deklaroi Hristijan Mickoski – lider i VMRO-DPMNE-së.

Blloku opozitar – Lëvizja Besa, Lëvizja Demokratike dhe Alternativa, shpreh qëndrimin e qartë se nuk do të votojnë ndryshimet kushtetuese që përfshijnë futjen e bullgarëve dhe pakicave tjera etnike në Preambulën e Kushtetutës, e që paraqet kusht për hapjen e kapitujve në bisedimet për anëtarësim të vendit në BE. Alternativa thotë se përveç heqjes së “20-shit” nga Kushtetuta, që i referohet gjuhës shqipe, kërkojnë edhe pranimin e amendamenteve të tyre, për luftë kundër korrupsionit./TV21