Kovaçevski: Nuk lejuam çmime shokuese, Maqedonia ka çmime më të ulëta në rajon

“Ne nuk lejuam çmime shokuese, siç është kudo në Evropë. Nëse i shohim të gjitha krahasimet në rajon dhe më gjerë, Republika e Maqedonisë së Veriut ka çmimet më të ulëta të energjisë dhe çmimin më të ulët të produkteve ushqimore bazë, krahasuar me të gjitha”, tha kryeministri Dimitar Kovaçevski.

Ai shtoi se Qeveria i është përgjigjur në kohë të duhur krizës më të keqe ekonomike në të gjithë Evropën që nga Lufta e Dytë Botërore.

“Qeveria, në përputhje me situatën, përgatiti në kohë një paketë masash, në shumën totale prej 615 milionë eurosh, për të zbutur goditjen e çmimeve, për të ruajtur standardin e qytetarëve dhe për të ruajtur likuiditetin e kompanive. Një pjesë e mjeteve janë paraparë në Buxhetin për vitin 2022, duke qenë se ka pasur krizë energjetike, por një pjesë janë bërë gjatë vitit 2022, në mandatin e Qeverisë së re. Ajo paketë masash ishte në vlerën 400 milionë euro, e cila i referohej një pjese të uljes së të ardhurave nga tatimet dhe akcizat për vendin, me qëllim uljen e çmimeve të lëndëve të para dhe produkteve përfundimtare, pjesa e dytë e transfertave direkte financiare për qytetarët më vulnerabël në vend dhe i treti – duke siguruar mjete financiare për të ruajtur likuiditetin e kompanive, në kushte të rritjes së energjisë që janë pjesë e procesit të prodhimit dhe shërbimit të tyre”, tha kryeministri Kovaçevski.

Lidhur me standardin e jetesës, kryeministri Kovaçevski theksoi edhe rritjen historike të pensioneve dhe përkrahjen e mëtejshme për ekonomitë familjare dhe kompanitë.